Ministri Murati i kërkon dorëheqjen Abelard Tahirit pas bastit të vënë për Fondin e Sigurisë

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka kërkuar nga deputeti Abelard Tahiri të japë dorëheqje nga mandati i deputetit, duke thënë se Tahiri “e ka humbur bastin” e vënë pak minuta më parë lidhur me të hollat e mbledhura në Fondin e Sigurisë.

Tahiri në seancën e Kuvendit ka vënë bast që nëse janë mbledhur mbi 2 milionë euro në Fondin e Sigurisë do ta lërë mandatin e deputetit.

“Meqenëse vëtë bast ju ftoj që sot me dhanë dorëheqjen dhe ta shohim a po i qëndroni fjalës. Dorëzojeni dorëheqjen i nderuar deputet! Nuk qëndron ajo që thatë ju dhe mund t’ua tregojmë edhe privatisht por dorëzojeni dorëheqjen fillimisht. Qëndroni fjalës deri në fund!”, ka thënë Murati.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, teksa ka folur për Fondin e Sigurisë ka thënë se vë bast që nëse janë mbledhur mbi 2 milionë euro në Fondin e Sigurisë do ta lërë mandatin e deputetit.

“Unë jam i bindur dhe po vë bast që nëse kanë kaluar mbi 2 milionë euro në Fondin e Sigurisë unë e lë mandatin e deputetit, sepse as 2 milionë euro nuk keni arritë me i mbledh”, ka thënë Tahiri.

Ai ka shtuar se kryeministri Kurti është dashur të kontribuojë për këtë fond duke dhuruar pagën e tij të muajit prill.

Vë bast Abelard Tahiri: Nëse janë mbledhur mbi 2 milionë euro në Fondin e Sigurisë do e lë mandatin e deputetit