Foto: Armend Mehaj/Facebook

Ministri Mehaj: Serbia ka blerë armatim nga Kina, nga kush po rrezikohet, apo kundër kujt po armatoset?

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj gjatë ditës së sotme ka reaguar për siç thotë ai blerjet e Serbisë, pra sistemet rakektore dhe armatim të ri nga Kina si dhe edhe sistem të mëhershëm nga Rusia.

Sipas ministrit Mehaj me këto veprime rikonfirmohet sjellja destruktive dhe shumë e rrezikshme e anti- perëndimore e Serbisë.

“Sipas informacioneve të dy ditëve të fundit, Serbia ka pranuar nga Kina sisteme të reja të armatimit duke shtuar kontingjentin e saj të mëhershëm të pranuar nga Rusia e Bjellorusia. Kjo shfaqje e neveritshme po ndodh në kohën kur BE dhe NATO dhe gjithë bota pro vlerave euroatlantike është në përballje me sulmuesin e këtyre vlerave, Rusinë dhe aleatët e saj”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

Mehaj ka kërkuar përgjigje se nga kush po rrezikohet Serbia apo edhe kundër kujt po armatoset me sisteme të avancuara sulmuese dhe mbrojtëse.

“Ç’është kjo hipokrizi? Deri kur me këto standarde të dyfishta? Republika e Kosovës, institucionet e sigurisë dhe mbrojtjes si dhe ne, populli paqedashës dhe liridashës, kemi shprehur në vazhdimësi shqetësimin e arsyeshëm, si dhe në vazhdimësi kemi reaguar për këtë qasje destruktive dhe të rrezikshme të Serbisë ndaj paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë”, vazhdon tutje Mehaj.

Mehaj ka kërkuar nga NATO, BE e OKB që të shqyrtoj këtë çështje.

“Prandaj, kërkojmë nga autoritetet e vendimmarrjes së NATO-s, BE-së dhe OKB-së, si dhe të gjitha instancat tjera të politikëbërjes pro-vlerave të paqes, lirisë dhe demokracisë të shqyrtojnë me seriozitetin maksimal këtë qasje destruktive dhe të rrezikshme të Serbisë që ndikon seriozisht në minimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë”, vazhdon reagimi i ministrit Mehaj.

Ai ka treguar edhe se Kosova ka dëshmuar orientimin e saj euroatlantik me aspiratën e natyrshme për anëtarësim sa më të shpejtë në NATO dhe BE.

“Këtë e kemi konfirmuar çdoherë por edhe tani, ku përkrahë me aleatët tanë të udhëhequra nga SHBA, vazhdojmë procesin e ndërtimit dhe zhvillimit të ushtrisë sonë dhe të gjitha institucioneve tjera shtetërore sipas praktikave dhe modeleve më bashkëkohore të demokracive perëndimore”, përfundoi Mehaj postimin e tij në Facebook.