Ministri Mehaj pyetet për shërbimin e obligueshëm ushtarak

Deputeti i Vetëvendosjes, Enver Dugolli në mbledhjen e Komisionit për Siguri… e pyeti ministrin e Mbrotjes Armend Mehaj se a janë duke punuar në shërbimin e obligueshëm ushtarak.

“Shërbimi i obligueshëm ushtarak ka qenë premtim elektorial qysh në qeverinë kurti 1. E di që ministri Quni në pjesën e parë të qeverisje pati fillu me këtë ide, e ka nënshkru një konceptdokumente dhe më pas nuk e di ku ka shku, a ka pas lëvizje në këtë drejtim për zbatimin apo zhvillimin e kësaj ideje”, tha Dugolli në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Duke mos u ndalur të shërbimi ushtarak, ministri Mehaj deklaroi se Kosovës i nevojitet edhe një rezervë vullnetare e ushtrisë.

Krahas kësaj, ai thotë se vendit i duhen 20 mijë persona rezervë vullnetare.

“Përmes punimeve ushtarake, ndërlidhen çdo veprim me strategjinë e sigurisë. Përmes nevojës së ndryshimit të strategjisë së sigurisë, aty është harmonizuar edhe nevoja shtetërore edhe shërbimit ushtarak një vlerësim që do t’i bëhet po unë e kam parë të arsyeshme si nevojë shtetërore që do të jetë edhe ligji për rezervë vullnetare”, u shpreh ai.

Ai tha se është formuar një grup punues nga disa ministri për të parë mundësinë që të hyjë në shkolla një lëndë që do të mësonte qysh të veprohet në raste rreziku.

“Unë e shoh se në të ardhmen Kosova duhet ta ketë edhe një rezervë vullnetare i 20 mijë vetave që janë në shërbim përmes nevojave, t’i kenë stërvitjet të caktuara brenda vitit. Në këtë drejtim kam punuar edhe për shiku mundësinë, jena në grup punues me ministrin e Arsimit, atë të Kulturës dhe me të Mbrojtjes më shiku qysh është mundësia qysh me shti lëndën e sigurisë, mbrojtjes dhe paqes në shkolla që të ketë një edukim prej një moshe nëpër shkolla qysh jepet ndihma e parë qysh veprohet në raste tërmeti apo rreziqe navigime dhe të tjera. Prej stategjisë së sigurisë del strategjia e mbrojtës, pas saj vjen ajo ushtarake ose plani mbrojtës” , tha Mehaj.

Ndërkaq, deputeti Dugolli replikoi duke thënë se nuk mori përgjigje adekuate lidhur me shërbimin e obligueshëm ushtarak, dhe se kjo e rezervave vullnetare, sipas tij, është ide e re.

Ai shtroi pyetjen për ligjin per rezerva, pasi sipas tij, ka pasur ngecje në zbatimin e saj.

“Nuk mora bash përgjigje adekuate, sepse rezerva vullnetare e plotëson atë idenë për shërbim të obligueshëm ushtarak, është një ide krejt tjetër. Rezerva vullnetare po del ide e re. Për rezervën po të pyes se ligji aktual e parasheh rezervën, ku jeni me plotësim e këtij ligji se thuhet se 3 mijë pjesëtarë duhet të jenë rezervë. Unë me sa kam informata, ju keni ngec goxha shumë në zbatimin e ligjit për rezerva, nuk e di që ka pas ndonjë rekrutim për rezervën”, u shpreh ai.

Gjenerali Nazmi Brahimaj u përgjigj duke thënë se plotësimi me personel është plan 10 vjeçar.

“Jemi duke punu në tri ligjet e reja. Plotësimi me personel është 10 vjeçar. Nëse flasim për 3 mijë persona rezervë, na duhet me fol për vitin 2028. Nuk kemi ngecje, nuk kemi përparim por jemi në suaza të planit afatgjatë zhvillimor”, tha ai.

Ndërkaq në fund të diskutimit për këtë çështje, kryetari i komisionit, deputeti Bekë Berisha iu drejtua Gjeneralit dhe ministrit.

“Thuj qikjo e obligueshme usharake nuk bëhet burrë, edhe e kapercejmë, ka qenë veç fjalë elektorale”, tha Berisha.