Pamje nga takimi Mehaj- Adzic. Foto: Facebook/Ministria e Mbrojtjes.

Ministri Mehaj pret në takim homologun malazias Filip Axhiq, diskutojnë për bashkëpunimin ushtarak

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka pritur sot në takim ministrin e Punëve të Brendshme dhe njëherësh ushtruesin e detyrës së Ministrit të Mbrojtjes të Malit të Zi, Filip Axhiq.

Gjatë këtij takimi, ministri malazias u zotua se vendi i tij do ta mbështesë Kosovën drejt anëtarësimit në NATO.

Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se gjatë këtij takimi dy ministrat diskutuan rreth bashkëpunimit dhe forcimit të marrëdhënieve fqinjësore në fushën ushtarake. Po ashtu minstrat diskutun edhe rreth ushtrimit fushor “Defender Europe 23”.

“Ministri Mehaj njoftoi homologun e tij malazez rreth zhvillimeve të FSK-së, fazën e zbatimit të Planit të Tranzicionit, ndryshimeve ligjore, për rekrutimet e fundit, e gjithashtu edhe për synimet e qarta për anëtarësim në nismat rajonale, në A5, RACVIAC e Programin e Partneritetit për Paqe” – citohet të ketë thënë ministri Mehaj gjatë këtij takim.

Ndërsa, ministri Axhiq tha gjatë takimit se agresioni rus në Ukrainë është mesazh që shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet bashkëpunojnë dhe mbështesin në njëri-tjetrin për të ruajtur stabilitetin e rajonit.

Sipas njoftimit, ministri Axhiq, i shoqëruar nga ministri Mehaj, ka vizituar Qendrën e Studimeve Universitare si dhe Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit në Kërkim-Shpëtim, në Pomazatin, ku u pritën nga komandanti i Komandës së Gardës Kombëtare, gjeneral brigade Naim Haziri.

Ministri malazias ka vlerësuar nivelin profesional të pjesëtarëve të FSK-së, duke pasur parasysh edhe pjesëmarrjen e tyre në operacionin e kërkim-shpëtimit në Turqi, ndërsa thotë se Malit të Zi do të mbështesë Kosovën për anëtarësim në Programin e Partneritetit për Paqe, si rrugë drejt anëtarësimit në NATO.

Po ashtu ministri Axhiq ka thënë se  Mali i Zi Republikën e Kosovës e sheh si shtet partner dhe që dy vendet i bashkojnë vlerat e përbashkëta demokratike e euro-atlantike.