Armend mehaj në Bruksel në takimin e nëntë të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës/ FOTO: Armend Mehaj/Facebook.

Ministri Mehaj në Bruksel: Jemi të gatshëm të strehojmë 5 mijë refugjatë ukrainas dhe të trajnojmë ushtarakë ukrainas

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Zemaj, ka qenë sot pjesëmarrës në Bruksel në takimin e nëntë të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, ku morën pjesë 54 shtete.

Në këtë takim ministri Mehaj ka rikujtuar gatishmërinë e Kosovës për strehimin e 5 mijë në refugjatëve ukrainas.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Mehaj përmes një postimi në Facebook, ku ka thënë se në këtë takim, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin, Kryetari i Shefave të Shtabit të Përbashkët, gjenerali Mark Milley, theksuan edhe një herë rëndësinë që secili prej shteteve të ofrojë të gjithë ndihmën e nevojshme për Ukrainën dhe popullin ukrainas të cilët po përballen me agresionin rus, një lufte e padrejtë që duhet dhënë fund.

“….Edhe një herë shpreha gatishmërinë tonë si Qeveri e si Ministri e Mbrojtjes që në çdo kohë të strehojmë 5000 refugjatë ukrainas, e po ashtu të ofrojmë mbështetjen përmes trajnimit të ushtarakëve ukrainas në fushën e deminimit, kërkim-shpëtimit dhe eliminimit të materieve të rrezikshme” – ka shkruar mehaj në Facebook.

Ky është postimi i plotë i ministrit Armend Mehaj:

“Sot në Bruksel në takimin e nëntë të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës ku morën pjesë 54 shtete, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin, Kryetari i Shefave të Shtabit të Përbashkët, Gjenerali Mark Milley, theksuan edhe një herë rëndësinë që secili prej shteteve të ofroj të gjithë ndihmën e nevojshme për Ukrainën dhe popullin ukrainas të cilët po përballen me agresionin rus, një lufte të padrejtë që duhet dhënë fund.

Mes të tjerash Stoltenberg gjatë fjalimit të tij tha se nuk kemi kohë për të humbur, dhe se përmes shpejtësisë së veprimeve tona do të shpëtojmë jetë. Jam plotësisht dakord me këtë, andaj edhe gjatë takimeve që bashkë Gjenerallejtënant Jasharin kisha me Stolterberg, Ministrin e Mbrojtjes të Kroacisë, Ministren e Mbrojtjes së Letonisë, Ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë, Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në NATO , Visho Ajazi Lika edhe një herë shpreha gatishmërinë tonë si Qeveri e si Ministri e Mbrojtjes që në çdo kohë të strehojmë 5000 refugjatë ukrainas, e po ashtu të ofrojmë mbështetjen përmes trajnimit të ushtarakëve ukrainas në fushën e deminimit, kërkim-shpëtimit dhe eliminimit të materieve të rrezikshme.

Si një shtet që jemi përballur me një agresor të tillë me mentalitet okupues e gjenocidal, e kuptojmë shumë mirë luftën e popullit ukrainas për liri, e gjithashtu rolin e pazëvendësueshëm që ka faktori ndërkombëtar në këtë mes, ndihma që mund të shpëtoj jetë e t’i jep fund terrorit.

Jemi me popullin ukrainas dhe do ofrojmë çdo ndihmë që është brenda kapaciteteve tona.”

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.