Ministri Mehaj fton qytetarët të kontribuojnë në Fondin e Sigurisë

Ministri i Mbrojtjës, Armend Mehaj ka ftuar qytetarët e Kosovës të vazhdojnë të kontribuojnë në Fondin e Sigurisë.

Mehaj ka thënë se ky mbështetja për ketë fond duhet për konsolidimin e FSK-së.

“Sot, gjersa kemi ushtrinë dhe Republikën, na duhet mbështetja juaj për ta konsoliduar Forcën e Sigurisë së Kosovës në nivelin e ushtrive anëtare të NATO-s, kështu vlerat demokratike të shtetit tonë mbrohen, dhe jeta e çdo qytetari është e sigurt”- ka thënë Mehaj.

Ai tutje ka thënë se Qeveria e Kosovës në vazhdimësi ka investuar në avancimin e FSK-së.

“Shumë punë është bërë duke investuar deri 99 % më tepër se vitet paraprake në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Me investimet në pajisje por dhe plotësimin e tre ligjeve bazike për MM/FSK, më shumë të rinj nga mosha 18-25 vjeç do t’i bashkohen Forcës së Sigurisë së Kosovës”- ka thënë ai.

Mehaj ka shtuar se sigurimi i mundësive të barabarta dhe një përfshirje më e madhe do të forcojë ushtrinë e Kosovës.

“Diversiteti ynë është një nga pikat tona më të forta si Komb, dhe ne do të vazhdojmë të përpiqemi që ushtria e Kosovës të pasqyroj shoqërinë në çdo nivel brenda radhëve të saj. Sigurimi i mundësive të barabarta dhe një përfshirje më e madhe do të forcojë ushtrinë tonë, megjithatë në rrethanat aktuale gjeopolitike, luftën në Ukrainë, jemi të vetdijshëm se duhet bërë shumë më tepër, duhet kontribuar të gjithë së bashku në forma të ndryshme për ushtrinë që është mburoja jonë e hekurt”- ka shkruar Mehaj.

Fondi i Sigurisë është krijuar më 1 mars me qëllim që të mblidhen mjete nga qytetarët e bizneset për të rritur buxhetin për ushtrinë e Kosovës.

Kryeministri ka thënë se mjetet e mbledhura financiare synohet të përdoren në përputhje me strategjinë e sigurisë shtetërore të Republikës së Kosovës që pritet të miratohet nga Qeveria.

“Në përputhje me nevojat e Forcave të Sigurisë së Kosovës, situatës aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë, kam autorizuar sot Ministrinë e Financave për themelimin e “Fondit të Sigurisë”, ka thënë Kurti.

Përmes një vendimi, shuma e parave të mbledhura në këtë fond është klasifikuar si fond sekret.