Foto: Armend Mehaj/Facebook
Ministri Mehaj: FSK nuk po bëhet gati të hyjë në veri
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj përmes një postimi në Facebook ka demantuar lajmet se kinse FSK është duke përgatitur trupa ushtarake për ndërhyrje në veriun e Kosovës.
“Dezinformatat se, kinse FSK është duke përgatitur trupa ushtarake për ndërhyrje në veriun e Kosovës, janë plotësisht të pavërteta, dhe kanë për qëllim dezinformimin e opinionit, për të paraqitur një situatë pasigurie për qytetarët tanë të komunitetit serb”, ka shkruar Mehaj në Facebook.
Postimi i plotë i ministrit Mehaj:
Ministria e Mbrojtjes, me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, përmes këtij njoftimi zyrtar, reagon ndaj të gjitha lajmeve të rrejshme, propagandës qëllimkeqe, dezinformatave dhe shkrimeve tendencioze dhe të pavërteta, të shpërndara në mesin e qytetarëve tanë në pjesën veriore të Kosovës, disa nga to edhe të publikuar në mediume.
Dezinformatat se, kinse FSK është duke përgatitur trupa ushtarake për ndërhyrje në veriun e Kosovës, janë plotësisht të pavërteta, dhe kanë për qëllim dezinformimin e opinionit, për të paraqitur një situatë pasigurie për qytetarët tanë të komunitetit serb.
Ju rikujtojmë se, Ministria e Mbrojtjes me FSK-në, është institucion shtetëror që realizon detyrat dhe kompetencat e saj në përputhje me dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi si dhe në koordinim të plotë me autoritetet tjera shtetërore dhe KFOR-in.
FSK, është profesionale dhe multietnike, e formuar, ndërtuar dhe zhvilluar në bashkëveprim, koordinim dhe mbështetje të plotë të NATO-s, SHBA-së dhe partnerëve tjerë anëtarë dhe partnerë të NATO-s.