Ministri i Mbrojtjes: Ejup Maqedonci

Ministri Maqedonci thotë se letra dërguar komandantit të KFOR-it nuk ishte rizotim por sqarim

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka reaguar për letrën dërguar komandantit të KFOR-it në lidhje me angazhimin e Gardës Ceremoniale të FSK-së gjatë një ceremonie mortore.

Sipas një njoftimi të ministrit, letra në fjalë është dërguar me qëllim që t’i sqarohen komandantit të KFOR-it rrethanat e angazhimit të një njësie të FSK-së në njërën nga komunat në veri të vendit, si dhe për ta siguruar atë që nuk ka pasur për qëllim në asnjë rast tensionimin e situatës. 

Minsitri ka deklaruar se ajo letër në asnjë mënyrë nuk paraqet rizotim dhe se nuk mund të interpretohet si e tillë. 

Kjo për shkak se, sipas ministrit, për angazhimin e FSK-së në veri ekziston një dokument në fuqi i dhënë si zotim nga ish-kryeministri Hashim Thaçi në prilll të vitit 2013 dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, nga i cili thotë se derivojnë dhe kushtet e operimit e të koordinimit të FSK-së dhe KFOR-it për pjesën veriore të Kosovës. 

“E ritheksoj, ashtu siç e kam thënë në çdo paraqitje timen publike, që personalisht nuk pajtohem me atë zotim, pasi vazhdoj të mendoj se ka qenë zotim i gabuar dhe i dëmshëm për ushtrinë tonë, si dhe me pasoja afatgjata. Mirëpo ashtu siç e kemi deklaruar si Ministri e Mbrojtjes dhe si Qeveri e Kosovës, letrën zotuese të vitit 2013 do ta respektojmë, sepse jemi të përgjegjshëm karshi obligimeve të trashëguara institucionale për aq kohë sa janë në fuqi”- ka shkruar Maqedonci sot, më 22.01.2025.

Tutje, ministri i Mbrotjes ka thënë se është përgjegjësi e tij dhe e komandantit të KFOR-it tani kur thotë se ekziston zotimi i vitit 2013 i dhënë nga ish-kryeministri Thaçi, është që të sigurojnë njëri-tjetrin që do të bëjnë veprimet e nevojshme për të garantuar që angazhimi ushtarak në veri të bëhet në mënyrë të koordinuar.