Venko Filipçe - Foto: REL / Qeveria maqedonase.

Ministri maqedonas: Vendet e rajonit synojnë hapjen e përnjëhershme të kufijve

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe ka thënë se shtetet e rajonit synojnë hapje të përnjëhershme të kufijve dhe heqjen e testit për koronavirus, me metodën PCR.

“Të gjitha shtetet në rajon janë duke biseduar për hapjen e përnjëhershme të kufijve me një politikë të njëjtë lidhur me ‘PCR’ testet. Është e vërtetë që ne kemi njoftuar disa herë në javët e mëparshme se do të kemi ndonjë vendim, por fatkeqësisht po prisnim përgjigjen nga vendet fqinje. Ata më në fund u përgjigjën gjatë javës së kaluar. Sistemi i koordinimit po funksionon, i cili tani mbështetet nga Ambasada amerikane në Shkup”, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Ai ka thënë se vendimi do të merret edhe në konsultim me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat japin vetëm rekomandime, ndërsa vendimi sillet nga vetë shtetet e rajonit, duke u bazuar në të dhënat reale epidemiologjike.

“Shtetet anëtare të BE-së kanë vetëm rekomandime, nuk kanë një politikë të përgjithshme të BE-së për këtë çështje pasi kanë lirinë për të vendosur se cili do të jetë regjimi i tyre kufitar. Unë sinqerisht shpresoj që të gjitha informacionet patjetër të shkëmbehen, bazuar në të dhënat e sakta mbi situatën epidemiologjike në secilin prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, plus Bullgarinë dhe Greqinë. Ne do të marrim një qëndrim të përbashkët. Komunikimi bazohet në faktin se masat parandaluese duhet të respektohen”, ka theksuar Filipçe.

Ndryshe, të dielën në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 148 raste të reja me koronavirusin e ri, tre persona e kanë humbur jetën kurse 65 persona janë shëruar.

Të dhënat i referohen 1,224 testeve të kryera. Deri tani me sëmundjen COVID-19 (që shkakton koronavirusi) janë diagnostikuar 17,629 persona. Prej tyre, 725 persona kanë vdekur, 14,581 janë shëruar, ndërsa raste aktive janë 2,323./REL