Ministri malazez kritikohet se mohoi gjenocidin e Srebrenicës

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Podgoricë të dielën i bëri thirrje qeverisë së Malit të Zi të deklarojë qartë se masakrat e vitit 1995 të boshnjakëve nga Srebrenica nga forcat serbe të Bosnjës ishin gjenocid, pasi Ministri i Drejtësisë, të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Vladimir Leposaviç, shprehu dyshimin për vendimet e gjykatave ndërkombëtare në lidhje me këtë mizori.

“Ambasada është e shqetësuar me komente që hedhin dyshime për atë që ndodhi në Srebrenicë në 1995. Ne kërkojmë qartësi dhe shpresojmë që qeveria do të dënojë pa mëdyshje masakrën dhe do ta quajë atë me emrin e saj – gjenocid”, tha ambasada amerikane në një postim në Twitter.

Leposaviç, një politikan pro-serb, argumentoi se gjykata e Kombeve të Bashkuara në Hagë, e cila i klasifikoi masakrat e boshnjakëve nga Srebrenica si gjenocid, nuk kishte asnjë legjitimitet sepse ai pretendoi se kishte shkatërruar provat në lidhje me trafikimin e organeve të civilëve serbë në Kosovë.

“Unë jam gati të pranoj që në Srebrenicë u krye gjenocid kur kjo të vërtetohet pa dyshim”, tha Leposaviç në parlament të premten.

Liderët politikë të partive pro-serbe në Mal të Zi vazhdimisht kanë refuzuar të pranojnë përkufizimin e Gjykatës së Hagës, duke thënë se vrasjet në Srebrenicë ishin një krim lufte, por jo gjenocid.

Ambasada Britanike në Podgoricë gjithashtu reagoi ashpër ndaj komenteve të Leposaviçit.

“Mbretëria e Bashkuar mbetet e qartë në qëndrimin e saj, se ajo që ndodhi në Srebrenicë ishte gjenocid. Këto janë fakte, të përcaktuara para dy gjykatave ndërkombëtare, mbi bazën e provave mbizotëruese”, tha ambasada në Twitter të dielën.

Partitë e opozitës dhe aktivistë civilë kanë bërë thirrje për dorëheqjen e Leposaviçit dhe i kërkuan kryeministrit Zdravko Krivokapiç të kritikojë komentet e tij.

Por Slaven Radunoviç, një deputet nga Fronti Demokratik pro-Serb, akuzoi ambasadën e SHBA-së dhe atë të Britanisë se po i ushtrojnë presion politik qeverisë.

“Qëndrimi i shumë njerëzve në Mal të Zi nuk është kundër viktimave në Srebrenicë, por vetëm kundër vendimeve të politizuara të Gjykatës së Hagës. Ato vendime u përdorën për të krijuar një imazh bardh e zi të serbëve si ‘njerëz të këqij’ dhe për të justifikuar disa veprime të paligjshme kundër nesh nga fuqitë e mëdha”, tha Radunoviç të hënën.

Në 2009, parlamenti malazez miratoi një deklaratë që pranon një rezolutë të Parlamentit Evropian mbi Srebrenicën, e cila e miratoi 11 korrikun si një ditë përkujtimore në Malin e Zi për viktimat e masakrave të vitit 1995.

Por edhe pse deklarata i dënoi krimet, si dhe krime të tjera të kryera gjatë konflikteve në ish-Jugosllavi, fjala gjenocid nuk u përmend.

Në dhjetor 2020, Partia Boshnjake e opozitës e Malit të Zi propozoi një rezolutë parlamentare për të njohur gjenocidin e Srebrenicës, por shumica qeverisëse votoi kundër saj.

Në korrik 1995, më shumë se 7,000 burra dhe djem boshnjakë nga Srebrenica u vranë në një seri masakrash nga forcat serbe të Bosnjës dhe mbi 40,000 gra, fëmijë dhe të moshuar u dëbuan – një krim që u klasifikua si gjenocid nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavia dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. /BI