Ministri i Arsimit Ramë Likaj në Kuvend, Foto: Kuvendi i Kosovës

Ministri Likaj në interpelancë, flet për sfidat e vitit shkollor për shkak të pandemisë

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj interpelancën e tij në Kuvendin e Kosovës e ka nisur duke uruar nxënësit dhe mësimdhënësit për fillimin e vitit të ri shkollor.

Likaj ka deklaruar se vendimi për fillimin e vitit të ri shkollor nuk ka qenë i lehtë, për shkak të pandemisë.

“Vendimi për hapjen është një hap i rëndësishëm dhe besoj i mirëpritur nga opinioni i gjerë. MASh tash e dy muaj ka bërë të gjitha përgatitjet e mundshme për fillimin e mësimit në kohë pandemie”, tha ai.

Ministri shtoi se kanë pasur takime me drejtoritë komunale të Arsimit dhe kanë përfunduar trajnime paraprake të mësimdhënësve.

“80 mësimdhënës janë trajnuar për mësimin online. Është bërë përgatitja e mësimdhënësve për realizimin e video-materialeve për mësimin në distancë”, tha mes tjerash ministri, duke shtuar se do të ndajnë mjete shtesë për sigurimin e mjeteve teknologjike për nxënësit.

Ministri shtoi se e kanë edhe një opsion rezervë, në rast se mund të dështojë mbajtja e mësimit në shkolla.

“Ne kemi filluar vitin shkollor në mënyrë të inciuar me Republikën e Shqipërisë. Ky opsion e ka koston 180 mijë euro,  për platformë  të përbashkët për mësimin në distancë”, theksoi Likaj.

Në Kuvend ka nisur Interpelanca e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj në lidhje me përgatitjet për fillimin e vitit shkollor në kushte të pandemisë COVID-19 në Kosovë.