Ministri Likaj kërkon 5 mijë teste për COVID-19 për mësimdhënës

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj tha sot se më fillimin e vitit të ri shkollor, kanë kërkuar nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, sigurimin e 5 mijë testeve për mësimdhënës dhe nxënës.

“Testimi është më se i nevojshëm, por kapacitetet në Kosovë janë shumë të limituara për momentin, por kemi kërkuar që të paktën t’i kemi 5 mijë teste për mësimdhënës dhe nxënës në periudhën fillestare. Ndërsa, për fazat vijuese do të shtohen testet”, tha Likaj pas takimit me kryetarët e komunave.

Ai shtoi se jo të gjithë shkollat kanë kapacitetet për rekomandimet që i ka dhënë IKShPk-ja.

Likaj po ashtu sot ka bërë të ditur se hapja e shkollave do të bëhet me 1 shtator në tri faza për të gjitha nivelet e arsimit.

“Viti i ri shkollor do të fillojë më 1 shtator për parashkollorët dhe për klasat 1,2,3 si dhe 6 dhe 9, dhe pastaj për klasat 4 dhe 5 do të fillojë më fazën e dytë 7 shtator, kurse në fazën e tretë më 10 shtator do të fillojnë mësimin klasat 7, 8, 9, 10 dhe 11,12, sipas tre skenarëve të paraqitur”, tha Likaj.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka përgatitur tre skenarë të ndryshëm për fillimin e vitit të ri shkollor, në kohë pandemie, Skenari A- rikthimin në ambientet shkollore të nxënëseve, Skenari B – mësimin e kombinuar dhe Skenari C – mësimi nga platforma të ndryshme. Por, ende nuk është vendosur në mënyrë konkrete për ndonjërin.

Institucionet shkollore në Kosovë janë mbyllur nga data 12 mars, pas masave që kishte marrë Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Pastaj, Ministria e Arsimit vendosi që mësimi të vazhdojë nga distancë. Për klasat 1-9, mësimi është realizuar nëpërmjet transmetimit të mësimeve të regjistruara në televizionin publik, si dhe përmes kanalit të Ministrisë së Arsimit në YouTube.

Ndërsa në nivel të shkollave të mesme të larta, mësimi në distancë është zhvilluar në mënyrë të decentralizuar, ku mësimdhënësit ishin bartësit kryesor.