Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministri Liburn Aliu reagon pas akuzave të aktivistes Shpresa Loshaj

Ministri i Ministrisë së Mjedisit, Liburn Aliu, ka replikuar ndaj akuzave të organizatës “Pishtarët” se janë duke u zhvilluar procese për lëshimin e lejeve të reja për kompaninë “KelKos”.

Sipas ministri Aliu, eksperti Christoph Hauer është zgjedhur me rekomandimin e organizatës Riverwatch dhe më pas është angazhuar nga operatori “KelKos” për krijimin e një koncepti për revitalizmin e Zallit të Rupës.

Sipas Aliut, ky koncept-dokument është bërë publik nga Ministria në momentin që është pranuar nga eksperti Hauer, ndërsa akuzat e aktivistes Shpresa Loshaj që drejton organizatën “Pishtarët” i ka quajtur shpifje.

“Jemi pajtuar që organizata Riverwatch të përzgjedhë një ekspert dhe grup ekspertësh dhe të cilin e angazhon më pas ‘KelKos’. Pra ne nuk e kemi përzgjedhur ekspertin dhe ne e kemi kryer punën me refuzimin e lejes mjedisore dhe pezullimin e këtyre lejeve të tjera. Eksperti Christoph Hauer është rekomanduar nga Riverwatch dhe është zgjedhur nga ‘KelKos’ me rekomandimin e tyre dhe kjo thuhet edhe në deklaratën e organizatës Riverwatch. Ajo çka e kemi thënë ne si Ministri e kanë thënë edhe ata.  Edhe ne në komunikatën tonë e kemi bërë të qartë se bëhet fjalë vetëm për një koncept të restaurimit të Zallit të Rupës dhe ky koncept është një hap para sepse nuk kemi pasur asnjë të tillë deri më tash. Zonja Shpresa Loshaj na ka akuzuar neve për mostransparencë ndërsa ne sapo e kemi marrë konceptin e kemi publikuar. Nëse mendojnë që duhet të marrin pjesë në hartimin e konceptit, s’kemi marrë pjesë as ne! Bëhet fjalë për ekspertizë”, ka thënë Aliu.

Tutje ministri Aliu ka thënë se krijimi i këtij koncept-dokumenti nuk do të thotë se janë krijuar hapa të rinj proceduralë dhe se në këtë fazë është e pamundur pjesëmarrja e publikut për shkak se është ekspertizë.

“Ne nuk kemi ndërmarrë hapa të rinj proceduralë që do të mund t’i diskutonim me publikun. Bëhet fjalë për një koncept ekspertize. Nëse mendon që zonja Shpresa Loshaj duhet të hyjë në laborator me z. Christoph Hauer, atë duhet t’ia kërkojë atij, por përndryshe është çështje e ekspertit. Bëhet fjalë për një koncept e jo për ndonjë procedurë se si do të mund të zgjidhej ajo. Ne me ‘KelKos’-in takohemi si palë, në zyrë në praninë e palëve kompetente. Nuk ka takime fshehurazi sepse takimet janë publike. Zonja Loshaj thotë që Riverwatch nuk e ka pranuar këtë koncept. Nuk mund të themi që këtë koncept nuk e ka pranuar Riverwatch. Ne nuk e dimë. Le të dalë që e ka mohu, e mohojmë edhe ne. Ky koncept nuk ka të bëjë me hidrocentralet, por me Zallin e Rupës sepse është nxjerrë zalli dhe duhet me rehabilitu. Sa i përket hidrocentraleve dhe operimit të tyre, pa u bë studim i mirëfilltë ekologjik për rrjedhën e ujit, pa u siguru qarkullimi i rregullt i peshqve dhe të gjitha pikat që i kërkon Riverwatch dhe pa kalu në diskutime publike, nuk mund të ndodhë një gjë e tillë”, ka vazhduar më tej Aliu duke shtuar se edhe pse i konsideron shpifje deklaratat e aktivistes Loshaj nuk do të ushtrojë padi ndaj saj për shkak të aktivizmit që ajo bën.

Organizata ‘Pishtarët’: Ministria e Ambientit po planifikon leje të reja për KELKOS-in në Deçan

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.