Liburn Aliu
Ministri Liburn Aliu raporton para deputetëve të Komisionit për Mjedis
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka raportuar në Komisionin për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim.
Aliu tha se të arriturat kryesore kanë qenë nënshkrimi i dy marrëveshjeve mes Kosovës dhe Shqipërisë.
“Të arriturat kryesore janë nënshkrimi i dy marrëveshjeve mes Kosovës dhe Shqipërisë. E para është ajo për studimin e fizibilitetit dhe ajo për përmirësimin e rrugëve të fshatrave afër pikave kufitare me Shqipërinë”- tha Aliu.
“Është miratuar plani hapësinor për parkun “Sharri”. Ky plan nuk do të jetë lehtë i veprueshëm nëse nuk kemi koordinim me të gjithë. E kemi miratuar udhëzimin administrativ për odën e arkitektëve dhe jemi drejt krijimit të odës dhe licencimit të inxhinierëve. Kemi bëre digjitalizimin e nxjerrjes së certifikatave për pronë përmes e-Kosova”- ka shtuar ministri.
Aliu ka përmendur edhe mbjelljen e drunjëve të cilën ai tha se e kishte bërë me presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci.
“Së bashku me presidenten Osmani dhe ministrin Peci kemi bërë mbjelljen e drunjëve për finalizimin e projektit ku plani ka qenë mbjellja e 1 milion drunjëve, ende po vazhdon”- ka thënë ai.
Më tej ai ka folur edhe për riciklimin e mbeturinave për të cilat Aliu tha se riciklohen shumë pak.
“Vendi jonë riciklon shumë pak, përveç kanaçeve që i mbledhin. Tani e kemi një orientim ku ripërdorimi dhe riciklimi do të jenë një ndër projektet kryesore”- shpjegoi Aliu.
Për eliminimin e qeseve dhe shisheve të plastikës, Aliu ka përmendur dy projekte që do të ndikojnë në eliminimin e tyre.
“Dy projekte që do të ndikojnë në eliminimin e shisheve dhe qeseve, do të bëjmë udhëzimin administrativ që në markete do të mund të realizojnë këtë sistem, pra qytetarët qe blejnë shishe do t’i blejnë diku pesë centë me shumë dhe me pas ato mund t’i grumbullojnë dhe do t’u kthehen në para. Fundi i vitit të ardhshëm do të jetë target i testimit, viti 2024 është koha kur mendojmë që do të aplikohet ky sistem”- tha ai..
“Për qeset e plastikës do të caktojmë çmim e më pas reduktohen në tërësi”- shtoi Aliu.
Deputetja nga PDK, Ganimete Musliu, kritikoi ministrin për raportin pasi sipas saj janë përfshirë projektligje që janë miratuar në Kuvend.
“Nuk e di kush e ka bo këtë raport, por në raport janë përfshi të gjitha udhëzimet administrative. Në raport keni përfshi projektligje që ne i kemi miratuar dhe është i panevojshëm, më shumë kisha dashtë që në material me pa se sa kanë pasë zbatueshmëri këto ligje që i kemi miratu. Është raport voluminoz me fjalë por jo e punës juaj”- tha Musliu.
Sa i përket mbjelljes së fidanëve, Musliu tha se i ka vizituar para disa ditësh dhe ato tashmë “janë prishur”.