FOTO:KALLXO.com 29.07.2021

Ministri Latifi takohet me specializantët, këta të fundit pezullojnë protestat

Këshilli i specializantëve sot paradite u takuan me Ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi. Gjatë këtij takimi specializantët kanë prezantuar kërkesat e tyre e për të cilat thonë se ministri është shprehur se janë “çështje lehtë të zgjidhshme dhe të vogla teknike”, duke potencuar se i duhet kohë pasi që sapo ka filluar mandatin.

Uran Halimi, njëri nga përfaqësuesit e specializantëve tha se Këshilli i specializantëve ka vendosur që të pezullojë protestën deri në janar të vitit 2022.

“Ne sot në mbledhjen e Këshillit të Specializantëve kemi vendosur që të pezullojmë protestat e deri kah mesi i janarit 2022 të presim. Me datën 12.01.2022 do të mblidhet Këshilli i Specializantëve dhe do të vleresojme rrjedhën e ngarjeve”, thotë Halimi për KALLXO.com.

Ai sqaron se në rast se nuk ka diçka konkrete për realizimin e kërkesave të tyre, përfshirjen në Ligjin për Paga, trasferimin nga specializantë në vetëfinancim në atë të rregullt dhe pagesat e kujdestarive, atëherë do të mblidhet përseri Këshilli i Specializantëve dhe do të diskutojnë për hapat e mëtutjeshëm.

Në këtë takim, morën pjesë edhe përfaqësuesit tjerë të specializantëve, Arianit Zajmi, Dijon Musliu dhe Nol Smajli.

Javë më parë specializantët me vetëfinancim kanë mbajtur protestë para objektit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Në korrik të vitit të kaluar, Ministria e Shëndetësisë në krye me Armend Zemaj hapi konkursin për shkollim specialistik në nivel vendi. Procesi i specializimit të mjekëve nuk ishte bërë për katër vite. Në atë konkurs kishin aplikuar mbi 1 mijë mjekë.

Ndarja e buxhetit për specializantët me vetëfinancim bëhet në kuadër të ndarjeve të subvencioneve por jo nga buxheti i rregullt i Qeverisë së Kosovës, ndërsa kërkesa e specializantëve me vetëfinancim është që të hyjnë në paga të rregullta, pra të ndahet buxhet i veçantë për ta.

Sipas statistikave të Ministrisë së Shëndetësisë, në shtatë spitalet rajonale në vend janë 661 mjekë specialistë.

Specializantët paralajmërojnë protestë të enjten