Ministri Latifi rekomandon ngritjen e moshës për pensionim të stafit shëndetësor

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, gjatë raportimit në komisionin parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ka rekomanduar që profesionistët shëndetësor të pensionohen në moshën 67 apo 68 vjeç duke marrë shembull pensionimin e mjekëve në vendet e shteteve perëndimore.

“Unë jam 66 vjet dhe jam kirurg shumë më i mirë tash sesa më herët. Atë çfarë po e bëjmë ne është sepse po e heqim një mjek profesionist me shumë përvojë nga shërbimi publik dhe po e çojmë të shërbejë në shërbim privat”, u shpreh ai, duke sqaruar se nuk ka asgjë kundër spitaleve private.

Gjatë këtij raportimi, Latifi thotë se duhet të rriten pagat e mantelbardhëve.

Latifi ka thënë se duhet të ndalet ikja e trurit jashtë vendit, e duhet të krijohen kushtet që mjekët që kanë ikur të kthehen dhe të shërbejnë në Kosovë.

Sa i përket synimeve të tij, ai ka theksuar se synim kryesor e ka Fondin për Sigurime Shëndetësore dhe Sistemin Informativ të Pacientëve.