Ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi/ Foto: KALLXO.com

Ministri Latifi flet për vizitat në Amerikë, paralajmëron një të re në vjeshtë

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka folur për vizitat e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Latifi deklaroi se ka pasur disa tema shumë të rëndësishme që janë trajtuar sidomos gjatë vizitës së tij në spitalin ushtarak si dhe në Universitetin e Arizonës.

“Marrëveshjet nuk nënshkruhen brenda një vizite shumë të shkurtër, ato bisedohen, trajtohen. Unë e kam thënë edhe disa herë që kemi pasë disa herë tema shumë të rëndësishme, siç është vizita në spitalin ushtarak “Spitali i Presidentëve”, pastaj në qendrat simulative të Departamentit të Mbrojtjes dhe në Universitetin e Arizonës. Këto janë pjesë e punëve tona të krijimit të qendrave të ekselencës në simulim”, ka thënë Latifi.

“Në Arizonë kemi bisedu edhe për krijimin e një institucioni akademik dhe klinik”, shtoi ai.

Ministri Latifi ka përmendur edhe vizitën në Universitetin “Tour University” ku kishin qenë së bashku me kryeministrin, Albin Kurti.

“Çështja tjetër që është bërë shumë e suksesshme është ajo që kryeministri Kurti, unë dhe ekipi ynë jemi taku me Universitetin “Tour University”, që është një nga universitetet më të rëndësishme mjekësore në SHBA me gjashtë fakultete të mjekësisë që të shkëbejmë kuadro edhe në hulumtime shkencore edhe në mësime të ndryshme dhe në krijimin e profileve të reja këtu në Kosovë. Këta do të vijnë shumë shpejtë dhe do ta krijojmë marrëveshjen”, theksoi Latifi.

Tutje, ministri paralajmëroi një tjetër vizitë në SHBA në vjeshtë, mirëpo sipas tij kjo vizitë do të jetë private.

“Unë i kam fëmijët atje dhe më duhet me i pa shpesh ata… Do të shkoj në Amerikë nga vjeshta sipas të gjitha gjasave por atëherë do të shkoj privatisht, për shkak se vajza ime martohet”, tha Latifi.

Ministri Latifi sot gjatë raportimit të tij në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ishte pyetur nga deputetët rreth vizitave të tij në SHBA.

Latifi ka thënë që nuk është e vërtetë që e menaxhon sektorin e shëndetësisë prej Amerikës.

“Po më thua që e menaxhoj shëndetësinë prej SHBA, nëse e kisha menaxhu prej atje ish konë ma mirë se kisha mendu si amerikan. Nuk është e vërtetë ajo. M’u ka deshtë me i dhënë gjashtë muaj me më zëvendësu në spital. Herën e parë kur kam shku kam shku për këtë ndërsa herën e dytë kam shku në vizitë zyrtare”, është shprehur Latifi.