Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, 27 janar 2022

Ministri Latifi flet për pajisjet në Klinikën e Onkologjisë që dolën jashtë funksionit nga shiu

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka folur për funksionimin e pajisjeve në Klinikën e Onkologjisë në QKUK të cilat dolën jashtë funksionit disa javë më parë kur shiu vërshoi hapësirat e klinikës.

Latifi ka thënë se tashmë aparatura e Onkologjisë është në funksion dhe pacientet po trajtohen.

“Më punë shumë të shpejtë të kompanisë përgjegjëse, aparatura e Onkologjisë është në funksion dhe pacientet po trajtohen. Kurse rezonanca magnetike në Onkologji është rregulluar por po pritet të mbushet me helium dhe më është thënë se do të bëhet brenda javës së ardhshme. Ndërsa, rezonanca magnetike në Neurologji është në funksion”, ka thënë Latifi.

Latifi sot gjatë seancës së Kuvendit ka falënderuar ministren e Shëndetësisë në Shqipëri, Orgeta Manastirliu për mundësinë që pacientët të trajtohen në Shqipëri pas dëmtimit të pajisjeve.

“Dua të falënderoj ministrinë e shëndetësisë së Shqipërisë dhe ministren Manastirlliu për gatishmërinë për trajtimin e pacienteve tanë. Kjo na lehtësojë shumë gjendjen por nuk patëm nevojë t’i dërgojmë pacientët tanë për trajtim”, ka thënë Latifi.

Shqipëria ditë më parë ka njoftuar se do të ndihmojë Kosovën për trajtimin e pacientëve kosovarë me radioterapi.

Ndihma ka ardhur pas situatës së krijuar në Klinikën e Onkologjike të ShSKUK-së, ku kjo klinikë u vërshua pas reshjeve të shiut dhe si pasojë u dëmtuan dy pajisje.

KALLXO.com ka raportuar me 5 korrik se dy pajisjet që i ka Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) për kryerjen e rrezatimit janë jashtë përdorimit për shkak të shirave që kanë rënë javën e kaluar e që kanë depërtuar në vendin ku këto dy pajisje janë të montuara.

Shiu nxjerr jashtë funksionit dy pajisjet e rrezatimit në QKUK, pacientët mbesin pa trajtim