Ministri Kuçi: Ende nuk i kemi dhënë leje mjedisore Kelkos-it

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka mohur se i është dhënë leja mjedisore kompanisë Kelkos Energy për prodhimin e energjisë elektrike nga dy hidrocentralet në Grykën e Deçanit.

Kuçi ka thënë se kjo kompani  nuk i ka plotësuar ende disa kushte.

“ Kelkos me sa e di unë jo  sepse është në proces ka me i plotësu disa kushte të caktuara, ne ende nuk i kemi dhënë leje. Në moment kur i plotëson por deri më tani  nuk i ka plotësuar”, tha ai.

Megjithatë, Zyra e Rregullatorit për Energji dje ka njoftuar se në rend të ditës në mbledhjen e së enjtes do të diskutohet dhënia e lejes për prodhim të energjisë elektrike, leje kjo që nuk mund të ipet pa leje mjedisore në Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit.

Mbrëmë,organizata “Pishtarët” po pretendon se Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka vendosur t’i japë leje mjedisore kompanisë KELKOS.

Në një letër drejtuar Ministrisë, organizata ka kërkuar llogari se pse KELKOS është pajisur me dy leje të veçanta mjedisore kur ky investitor e ka vetëm një pëlqim mjedisor për hidrocentralet në Deçan, gjë që sipas organizatës është e kundërligjshme.

Për të marrë lejen mjedisore nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit KELKOS është dashur që të bëjë legalizimin e trasesë, të pajiset me leje ujore dhe ta rehabilitojë Grykën e Deçanit.

KELKOS-it i ishte ndalur prodhimi i energjisë elektrike më 14 tetor në tre hidrocentrale te Gryka e Deçanit dhe pas një muaji, në mbledhjen e sotme që pritet të fillojë nga ora 9:30  do të diskutohet pajisja e këtij investitori me leje për prodhimin e energjisë elektrike.

Organizata “Pishtarët”: Ministria ka vendosur t’i japë leje mjedisore KELKOS-it

Kërkesat e KELKOS-it për leje të hidrocentraleve, nesër mblidhet ZRrE