Blerim Kuçi. Foto: Fatrion Ibrahimi/KALLXO.com

Ministri Kuçi ‘arsyeton’ mos mbajtjen e premtimit të AAK-së për shtesat e fëmijëve

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi në intervistën e tij me moderatoren Jeta Xharra, është sfiduar me premtimet e partisë së tij AAK-së të dhëna për qytetarët e Kosovës.

E një ndër premtimet kishte qenë ndarja e 10 eurove për fëmijët e moshës 0-16 vjet çdo muaj si shtesë.

Ministri Kuçi ka thënë që ai nuk ka dhënë një premtim të tillë, duke theksuar se ai nuk është kryeministër por vetëm ministër i një dikasteri.

‘S`e kam dhënë asnjëherë këtë premtim, mua së paku s’më kujtohet. Ne kemi aprovuar një program së bashku me partinë edhe nuk jam kryeministër por jam ministër i një fushe të caktuar, normalisht që elementi social është me rëndësi, ministri Reçica e ka krijuar një plan të vetin që ne e kemi aprovuar në qeveri, një prej tyre janë edhe shtesat”, ka thënë Kuçi.

Më 27 shtator të vitit të kaluar, kur po shpaloste planë-programin e tij për qeverisje, kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-PSD, kishte premtuar që shtesat për fëmijë do të ndahen.

“Shtesat e fëmijëve kanë me ndodhë me hartimin e buxhetit të parë”, pati thënë Haradinaj.

Ndonëse pjesë e qeverisë Hoti, është edhe partia e Haradinajt, në projekt-buxhetin e vitit 2021 nuk janë paraparë shtesat prej 10 eurove.

Kështu ka thënë për KALLXO.com, zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi.

“Nuk janë paraparë në buxhetin e vitit 2021, ai diskutim kur është bërë është bërë pa kurrfarë njohurie financiare, ka qenë vetëm sa për populizëm, ministria i ka gati 30 milionë minus në skemat aktuale”, ka thënë ai.

Shtesat prej 10 euro, ishin propozuar nga deputetja e Kuvendit të Kosovës, Donika Kadaj Bujupi më 15 tetor të vitit 2018.  Në bazë të kësaj Rezolute  çdo fëmijë në Kosovë prej 0 deri 16 vet të gëzojë shtesa çdo muaj duke filluar nga 10 euro, mirëpo edhe pse kanë kaluar 2 vite, aplikimi i këtyre shtesave nuk ka ndodhur asnjëherë.

Rezoluta e Donika Kadajt: Fëmijët deri 16 vjeç të marrin nga 10 euro në muaj shtesa