Ministri kroat rikonfirmoi mbështetjen e Kroacisë, ndaj proceseve dhe agjendës evropiane të Kosovës

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, ka pritur në vizitë zyrtare, në Prishtinë, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Gordan Grlić Radman.

Në këtë takim u shpreh mbështetja e plotë e Kroacisë ndaj proceseve dhe agjendës evropiane të Kosovës.

Gërvalla ka falënderuar homologun e saj kroat për ndihmën e vazhdueshme që Kroacia i ka ofruar Kosovës nëpër të gjitha fazat e shtet ndërtimit, duke theksuar raportet e shkëlqyera që kanë dy vendet, miqësinë dhe bashkëpunimin bilateral në shumë fusha.

“Për Kosovën mbetet thelbësore avancimi në procesin e integrimit euro-atlantik. Në këtë drejtim njohuritë dhe përvoja e Kroacisë është shumë e vlefshme për ne dhe jemi të përkushtuar të thellojmë bashkëpunimin dhe shkëmbimet në këtë drejtim”, ka thënë ministrja Gërvalla në takim.

Në komunikatë të lëshuar nga kjo ministri thuhet se çështja e menaxhimit të pandemisë ishte po ashtu temë diskutimi, dhe ministrja Gërvalla shprehu falënderim në emër të Qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës për donacionin prej 10 mijë vaksinave kundër Covid-19, të cilat Republika e Kroacisë do t’ia jap Kosovës.

“Është biseduar edhe për diasporën e Kosovës në Kroaci, për çka u vlerësua se është mirë e integruar në shtetin kroat. Me këtë rast, ministrja ka potencuar nevojën për të shtuar edhe më tutje bashkëpunimin në rrafshin ekonomik, kulturor e shkencor në mes të dy vendeve”, thuhet në komunikatë.

Ministri kroat Grlić Radman rikonfirmoi mbështetjen e plotë të Kroacisë ndaj proceseve dhe agjendës evropiane të Kosovës.

“Kroacia është aktive në promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe e përkrah plotësisht integrimin e saj euro-atlantik. Gjithashtu e mbështesim anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, ka theksuar Grlić Radman.

Palët shprehën përkushtimin që të shtyjnë përpara edhe marrëveshjet bilaterale që janë në proces e që lidhen me bashkëpunimin doganor, njohjen e patentëshoferëve, transferimin e personave të dënuar, promovimin reciprok dhe mbrojtjen e investimeve, etj.