Ministri kroat i Shëndetësisë: Disa nga të lënduarit mund të lirohen nesër nga spitali

Ministri i Shëndetësisë i Kroacisë, Vili Berosh tha sot se disa nga të lënduarit që kanë lëndime të lehta nga aksidenti që ndodhi sot në afërsi të Sllavonski Brodit, do të lirohen nesër nga Spitali i Brodit.

“Të gjithë ata që janë të përfshirë në këtë ngjarje tragjike do t’u ofrohet ndihmë psikologjike dhe në spital është formuar një qendër informacioni 035 201 111, e cila mbledh informacione nga të gjitha shërbimet përkatëse për familjet e të plagosurve”, tha ai, raporton mediumi kroat hrt.

Ministri siguroi se nuk ka ndonjë përkeqësim të dukshëm të gjendjes të të shtruarve në spital.

“Disa procedura kirurgjikale janë kryer tashmë, dhe disa prej tyre në indikacione që nuk janë urgjente – do të kryhen gjithashtu nesër. Shumë pacientë pësuan lëndime të lehta dhe mund të lëshohen nesër në shtëpi”, tha Berosh.

Ai shtoi se kthimi i tyre në Kosovë do të varet nga gjendja e familjarëve  të tyre.

Dhjetë persona kanë mbetur të vdekur e mbi 40 të tjerë  të lënduar në aksidentin e një autobusi nga Kosova në Kroaci.

Aksidenti që ka ndodhur afër Sllavonski Brodit po udhëtonte nga Frankfurti drejt Prishtinës i mbushur me udhëtarë kosovarë që vinin drejt Kosovës për pushime.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) në Kosovë, ka thënë se të vdekurit janë bashkatdhetarë, të cilët kanë qenë duke udhëtuar në linjë të rregullt Frankfurt-Prishtinë.

Kurse, Qeveria e Kosovës ka njoftuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është nisur drejt Kroacisë, bashkë me disa ministra.

Ndërsa, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shpallur të hënën ditë zie shtetërore, pas këtij aksidenti.