Ministri Krasniqi tregon propozimet për plotësim-ndryshimin e ligjit për Zgjedhjet Lokale

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka informuar Qeverinë e Kosovës në lidhje me draft koncept-dokumentin për Zgjedhjet Lokale.

Krasniqi ka thënë se, për faktin se me reformën zgjedhore merret Kuvendi i Kosovës, dokumenti të cilin e ka prezantuar është vetëm informim dhe nuk kërkon të votohet.

“Koncept dokumenti për zgjedhjet lokale përmban sfidat e procesit zgjedhor në nivel lokal dhe pikat orientuese të këtij procesi. Duke pasur parasysh faktin se me reformën zgjedhore merret Kuvendi i Kosovës, koncept dokumenti të cilin po e prezantojmë para Qeverisë, është vetëm informim dhe nuk do të kërkohet të votohet për shkak se këtë tani ja ofrojmë komisionit parlamentar dhe ata do ta kenë si dokument orientues për procesin zgjedhor”- njoftoi Krasniqi.

Krasniqi tha se ajo se çka është propozuar në plotësim ndryshim ka të bëjë me zgjedhjen e kryetarit dhe mes tjerash, përmendi edhe disa reforma tjera.

“Ajo çka është propozuar në plotësim-ndryshimin ka të bëjë me zgjedhjen e kryetarit të komunës, balotazhin, përfaqësimin gjinor, bartësin e listës së kuvendit të komunës, certifikimin e subjekteve politike, fushatën, kriteret për t`u zgjedhur kandidati për kryetar komune, e drejta e votës për zgjedhje lokale për vota me kusht jashtë dhe brenda Kosovës”- ka thënë Krasniqi.

“Pasi është formuar një komision ad-hoc në Kuvend për reformën zgjedhore, në këtë fazë ne vetëm kemi informu kabinetin qeveritar për përmbajtjen këtij dokumenti dhe të njëjtin do ta adresojmë tek komisioni parlamentar dhe është në mandatin e tyre të vazhdojnë këtë proces të reformës zgjedhore”- shtoi ai.