Elbert Krasniqi Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Ministri Krasniqi reagon pas raportimeve që nxënësit e komuniteteve janë lënë anash në festën e Abetares në Pejë

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi, ka reaguar pas raportimeve për një rast ku disa nxënës të komuniteteve pretendohet se janë lënë anash në festën e Abetares, në një organizim në Pejë.

Krasniqi ka dënuar ashpër këtë gjest dhe ka kërkuar nga institucionet që të thirren në përgjegjësi personat përgjegjës.

“Ndihem i shqetësuar shumë për rastin e sotëm ku nxënësit e komuniteteve janë lënë anash në festën e Abetares, në një organizim në Pejë. Nga Ministrja Arbërie Nagavci u njoftova se janë duke e trajtuar rastin në mënyrë që të kuptohet e vërteta dhe se në shkollat tona s’ka hapësirë për diskriminim e pabarazi”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

“Faleminderit mediave për senzibilizimin dhe raportimin e këtyre veprimeve të patolerusheme. Dhe njëherë ju drejtohem me thirrjen se përdorimi i termit ‘RAE’ është joadekuat dhe ofendues”, ka thënë Krasniqi.

KlanKosova sot ka raportuar për një rast ku disa nxënës të komuniteteve janë lënë anash në festën e Abetares, në një organizim në Pejë.