Sveçla e Krasniqi vizitojnë urën e Ibrit 07.08.2024 Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com
Ministri Krasniqi pret që qytetarët e komunitetit serb të marrin pjesë në takimin ku do të diskutohet për urën
Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se pret që qytetarët e komunitetit serb të marrin pjesë në takimin ku do të diskutohet për çështjen e hapjes së Urës së Ibrit.
Takimi do të mbahet nesër, më 08.08.2024, në Komunën e Mitrovicës së Veriut.
Kështu ka deklaruar Krasniqi sot, më 07.08.2024.
“Është momentum shumë i mirë që të vijnë qytetarët dhe të diskutojmë për brengat. Mos të harrojmë urat janë për me i lidhë qytetarët, për me i lidhë qytetet dhe jo për t’i ndarë ata. Pres që të ketë pjesëmarrje dhe interesim”- ka thënë Krasniqi.
Për çështjet që i ngrenë serbët për çështjen e urës, ministri thotë se do të kthejë përgjigje në këtë takim.
“Do të kemi një takim me qytetarë dhe përfaqësues të ndryshëm të shoqërisë civile për të diskutuar situatën e bashkëjetesës me Mitrovicën e Veriut dhe Mitrovicën e Jugut dhe për të diskutuar situatën se cilat janë brengat e qytetarëve për hapjen e urës. Nesër mund t’u përgjigjemi në secilën, bash në secilën brengë që qytetarët e kanë për çështjen e sigurisë dhe raporteve ndëretnike”- theksoi ministri.
Krasniqi së bashku me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, vizituan Urën e Ibrit sot, më 07.08.2024, një orë pasi serbët protestuan kundër hapjes së saj.
Kurse kryeministri Albin Kurti ka ftuar qytetarët, aktivistë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të mediave lokale që të marrin pjesë nesër në takimin dhe bashkëbisedimin që do të mbahet më 08.08.2024 në Komunën e Mitrovicës së Veriut me temën “Bashkëpunimi ndëretnik, këshillim komunal për siguri në bashkësi, bashkëpunimi në mes të institucioneve dhe shoqërisë civile”.
Ura mbi lumin “Ibër” në Mitrovicë së shpejti mund të lëshohet për qarkullim të automjeteve sipas paralajmërimeve të Qeverisë.
Këtë po e kundështojnë ndërkombëtarët.