Ministri Krasniqi pjesë e takimit regjional evropian në Itali

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, me ftesë të Partneritetit për Qeverisje të Hapur – OGP, po qëndron në një vizitë zyrtare në Itali, ku po zhvillohet takimi regjional evropian i OGP-së.

Sipas komunikatës së MAPL-së gjatë këtyre sesioneve, ministri Krasniqi do të realizoj takime me personalitete të larta shtetërore, anëtarë të shoqërisë civile dhe bizneseve për të diskutuar lidhur me mundësitë e bashkëpunimit në fushën e zhvillimit ekonomik lokal, agjendën e gjelbër dhe përkrahjen për Republikën e Kosovës në procese të rëndësishme siç është edhe anëtarësimi në OGP.

MAPL, ka përfunduar planin nacional të veprimit dhe angazhimi për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Partneritetin për Qeverisje të Hapur – OGP është prioritet duke u bazuar në rëndësinë e qeverisjes së hapur, llogaridhënëse dhe transparente.

Takimi Rajonal i OGP-së do të zhvillohet në Romë, Itali në datat 11-12 tetor, i bashkë organizuar nga qeveritë e Italisë dhe Estonisë.

Takimi Rajonal i Evropës do të bashkojë qeveritë dhe palët e interesuara për të rritur ambicie kolektive dhe për të gjeneruar mbështetje të re politike për t’i bërë qeveritë më transparente, të përgjegjshme ndaj qytetarëve dhe për të adresuar sfidat aktuale rajonale dhe globale. Temat kryesore që do të trajtohen në axhendë përfshijnë anti-korrupsionin, inovacionin dixhital dhe pjesëmarrjen demokratike.