Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministri Krasniqi për vizitë në ShBA, pritet të finalizojë një program që do të sjellë investime mbi 15 milionë euro

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, është në një vizitë zyrtare në shtetin e Iowas, në ShBA.

Krasniqi pritet të zhvillojë një sërë takimesh në të cilat do të diskutohet partneriteti në mes të dy vendeve.

Një nga këto takime do të bëhet me shefin e UN-Habitat, Christofer Williams, me të cilin do të diskutohet finalizimi i programit të përbashkët 4-vjeçar 2022-2025 në vlerë të përgjithshme mbi 15 milionë euro për investime kapitale në komunat e Kosovës.

Për këtë vizitë në Iowa Krasniqi ka marrë ftesë nga gjeneral-majori i Iowas, Ben J. Corell dhe drejtoresha ekzekutive e Iowa Sister States, Karla Weilbrenner Mcollum.

Kjo vizitë është bërë me rastin e 10-vjetorit të partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Iowas.

Gjithashtu edhe për t’u diskutuar zbatimet e marrëveshjeve të bashkëpunimit/binjakëzimit ndërmjet komunave të Kosovës me qytetet e shtetit të Iowas si dhe progresi i zbatimit të aktiviteteve që dalin nga marrëveshjet.

“Krasniqi do të takojë Sekretarin e Shtetit të Iowas Paul Pate, kryetarët e 7 qyteteve me të cilat komunat e Kosovës kanë partneritet/binjakëzim me qytetet e Iowas”, thuhet tutje në një njoftim në faqen zyrtare të MAPL-së.