Ministri Krasniqi konfirmon mbylljen e 5 institucioneve paralele në veri të Kosovës
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka njoftuar se të premten, më 30.08.2024, janë mbyllur institucionet paralele ilegale të vetëqeverisjes lokale, të cilat kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cënuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës.
Si rrjedhojë, ministri Krasniqi ka bërë të ditur se cilat komuna paralele nuk do të operojnë më.
“Sot, pas një koordinimi të ngushtë në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës, janë mbyllur institucionet paralele ilegale të Vetëqeverisjes Lokale, të cilat kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cënuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Komunat paralele të cilat nuk do të operojnë më janë: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit” – ka shkruar ministri Krasniqi në Facebook, më 30.08.2024.
Sipas ministrit Krasniqi, pesë komunat paralele që ka përmendur se nuk do të operojnë më, do t’i bashkohen 7 komunave të tjera paralele të cilat u mbyllën në Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec dhe Dragash.
Më 26.01.2024 u mbyllën katër komuna paralele në fshatin Vranisht të Dragashit, ndërsa më 02.02.2024 u mbyll një komune ilegale serbe në Pejë e në të njëjtën ditë u zhvillua aksioni policor edhe në komunën e Klinës, Istogut.
Tutje, Krasniqi ka theksuar se mbesin të përkushtuar për sa më shumë shërbime me cilësi sa më të lartë dhe se institucionet e Republikës së Kosovës oftojnë shërbime për të gjithë qytetarët, pa dallim si dhe ato janë adresa e duhur për të gjitha kërkesat dhe nevojat e qytetarëve tanë.
“Qytetarët pa asnjë dallim, kanë adresë të saktë ku mund t’i marrin shërbimet komunale dhe strukturat paralele e kanë të qartë se nuk mund të operojnë jashtë kornizës ligjore të Republikës së Kosovës. Nuk ka vend për operim ilegal dhe shërbime paralele në asnjë hapësirë të Republikës sonë” – ka përfunduar Krasniqi.
Ndërkaq, KALLXO.com ka raportuar se Policia në Mitrovicën e Veriut është duke kryer disa kontrolle në ndërtesën e strukturave paralele që gjendet në Lagjen e Boshnjakëve.
Ekipi i KALLXO.com është në vend të ngjarjes dhe ka informacione se kontroll e ngjashme nga Policia është duke u bërë edhe në Stacionin e autobusëve në Mitrovicë të Veriut.
Zëvëndësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani ka konfirmuar për KALLXO.com se Policia po vepron në lokacione të ndryshme pasi ka informata inteligjente se në këto lokacione po lëshohen dokumente të falsifikuara.