Ministri kërkoi falje të tatimit deri 100 euro, nënkryetari i Prishtinës thotë se komunat nuk kanë të drejtë të falin borxhe

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, ka reaguar pas deklarimit të ministrit të Financave, Hekuran Murati, që qytetarëve t’iu falen deri 100 euro nga fatura e tatimit në pronë.

Zogaj ka thënë se komunat nuk kanë të drejtë të falin borxhe pasi tatimi në pronë është obligim që rrjedh nga Ligji për tatimin pronë dhe vetëm Kuvendi i Kosovës ka të drejtë të falë obligimet që dalin nga ky ligj.

“Kuvendet Komunale nuk kanë të drejtë të falin borxhe, sepse tatimi në pronë është obligim që rrjedh nga Ligji për Tatimin në Pronë, i aprovuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, dhe vetem Kuvendi i Republikës ka të drejtë që ta ndryshoj ose eventualisht të falë obligimet që dalin nga ky ligj”- ka shkruar Zogaj.

Ai potencoi se thirrjet që Kuvendet Komunale të votojnë propozime të tilla janë mashtrim ndaj qytetarëve dhe janë të paligjshme. 

Ministri i Financave, Hekuran Murati më 27 janar propozoi që secilit tatimpagues t’i falen deri në 100 euro të faturës së tatimit në pronë për vitin 2023.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se me propozimin e tij që tatimpaguesëve t’u falen deri në 100 euro nga fatura e tatimit në pronë, 85% e tatimpaguesëve nuk do paguanin asgjë për vitin 2023.

Derisa, 10% do të paguanin më pak se 100 euro, sipas tij, vetëm top 5% (që përfshihen edhe bizneset) do paguanin më tepër se 100 euro për vitin 2023.

Ditë më parë qytetarët u ankuan per faturat e larta të tatimit në pronë. Ministria e Financave ka njoftuar se ata kanë bërë ri-vlerësim të pronave duke u bazuar në të dhënat e tregut.

Rritja e vlerës së pronës ka ndikuar direkt në rritje të faturës për tatim. Derisa norma tatimore ka mbetur e njëjta, pra 0.15%.