Ministri i Sportit: 262 atletë ukrainas, të vrarë nga lufta

Ministri i Sportit në Ukrainë, Vadym Huttsait, tha të shtunën se lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka marrë jetën e 262 atletëve ukrainas dhe ka lënë të shkatërruara 363 objekte sportive.

Gjatë një takimi me presidentin e Federatës Ndërkombëtare të Gjimnastikës, Morinari Watanabe, Huttsait tha se asnjë atlet nga Rusia nuk duhet të lejohet në Lojërat Olimpike ose gara të tjera sportive.

“Ata të gjithë e mbështesin këtë luftë dhe marrin pjesë në ngjarjet e organizuara në mbështetje të kësaj lufte” tha Huttsait, sipas dokumentit të publikuar në uebfaqen e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyt.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka rekomanduar kthimin gradual të atletëve rusë dhe bjellorusë në garat ndërkombëtare si neutralë. Ende nuk është marrë vendimi për pjesëmarrjen e tyre në Lojërat Olimpike të radhës, që do të mbahen më 2024 në Paris.

Ukraina tha të premten se atletët e saj nuk do të lejohen të marrin pjesë në garat kualifikuese për Lojërat Olimpike 2024 nëse do të duhet të konkurrojnë kundër atletëve rusë – vendim ky Komiteti Olimpik Ndërkombëtar e ka kritikuar.

Agjencia e lajmeve Reuters nuk ka arritur ta verifikojë në mënyrë të pavarur numrin e atletëve ukrainas të vrarë apo numrin e objekteve të shkatërruara.

Pasi Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, një numër atletësh të nivelit kombëtar ukrainas i janë bashkuar vullnetarisht ushtrisë për ta mbrojtur vendin e tyre.

Midis të vrarëve gjatë këtij viti ka qenë patinatori Dmytro Sharpar, i cili vdiq në një betejë pranë Bahmutit, dhe Volodymyr Androshchuk, kampioni 22-vjeçar i dekatlonit./REL