Rifat Latifi - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Ministri i Shëndetësisë udhëton në ShBA, merr pjesë në një konferencë shkencore

Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Rifat Latifi, do të marrë pjesë sot në konferencën shkencore të 19-të Louis R.M. Del Guercio në ShBA si profesor i  hulumtimeve shkencore, që organizohet në Kolegjin Mjekësor të Nju Jork, në Valhalla.

Sipas komunikatës së Ministrisë së Shëndetësisë ky universitet është njëri ndër fakultetet e mjekësisë më të vjetra në SHBA (1861), tash anëtar i Toro Univeristy, një nga universitetet më të njohura në botë.

Gjithashtu në njoftimin e Ministrisë thuhet se Latifi në këtë konferencë do të mbajë ligjëratën kryesore të këtij takimi shkencor me titull: “Zbutja e pabarazisë shëndetësore dhe transformimi i shëndetësisë së Kosovës përmes Qendrave klinike të ekselencës, nga këndvështrimi i kirurgut të traumës dhe Kryeshefit të kirurgjisë, tash Ministër i Shëndetësisë së Kosovës”.

Ministri Latifi do të bisedojë me lidershipin e Universitetit të Touro-s për bashkëpunim në fusha të ndryshme shkencore dhe mjekësore dhe të tjera.

Gjatë qëndrimit në SHBA,  ministri Latifi do të vizitojë edhe Spitalin Ushtarak Walter Reed, Qendrën e Simulimit të Armatës Amerikane në Uashington si dhe Universitetin e Arizonës, ku do të takohet me udhëheqësit e këtyre institucioneve, në kërkim të bashkëpunimit për implementim e qendrave të ekselencës, të parapara me programin e transformimit të shëndetësisë së Kosovës.

Ndërkohë, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ka nisur vizitën e tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.