Ministri i Shëndetësisë takon specializantët, u premton trajtim të shpejtë të kërkesave

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka takuar sot tre përfaqësues të specializantëve.

Siç ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë, në takim me Arjanit Zajmin, Nol Smajlin dhe Dijon Musliun, ministri Latifi u ka premtuar adresimin e kërkesave.

“Ministri Latifi me këtë u zotua se do të angazhohet fuqishëm për trajtimin shumë të shpejtë të këtyre kërkesave, gjithmonë duke e pasur parasysh se njëra ndër objektivat kryesore të tij mbetet planifikimi dhe përgatitja më adekuate profesionale e gjenerateve të mjekëve të ri”, thuhet në njoftimin e MSh-së.

“Duke i falënderuar përfaqësuesit e specializantëve për këtë takim, Ministri Latifi potencoi se do të bashkëpunojë afërsisht me specializantët për t’i përmirësuar kushtet e tyre të punës të tanishme si dhe për planet afatgjata të edukimit specialistik”, thuhet në fund të njoftimit.

Në fillim të dhjetorit, specializantet me vetëfinancim paralajmëruan protesta pasi, siç u tha, Qeveria e Kosovës nuk kishte ndarë buxhet për ta.