Ministri i Shëndetësisë: Synojmë sigurime shëndetësore

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka thënë se në qeverisjen e tij ka shtatë synime kryesore derisa ka kërkuar edhe mbështetjen e komisionit për të adresuar këto synime.

Latifi ka thënë se duhet të ndalet ikja e trurit jashtë e duhet të krijohen kushtet që mjekët që kanë ikur të kthehen dhe të shërbejnë në Kosovë.

Ministri Latifi ka thënë se ndër synimet kryesore të tij janë sigurimet shëndetësore dhe sistemi informativ shëndetësorë.

“Sistemi informativ shëndetësorë dhe sigurimet shëndetësore janë ndër kryesoret, pastaj mjeku që kemi sot është produkt i drejtpërdrejt i joni, sepse ai është produkti final i sistemit tonë shkollor. Nuk mund të kërkojmë prej specializantëve kur nuk i kemi kushtet me i përgatit ata. Pas 10 vjet ose 20 do t’i kemi këta mjekë”, tha ministri Latifi para deputetëve të Komisionit.

Ai ka propozuar një decentralizim të spitaleve rajonale në mënyrë që QKUK të mos ngarkohet.

“Ne kemi nevojë për decentralizim për Spitalet Rajonale sepse e ngarkojmë QKUK me operacione e shërbime që duhet të kryhen në ato spitale. Pastaj duhet të kemi hulumtimet më shëndetësi, ne nuk jemi duke bërë shkenca mjekësore në Kosovë, duhet të kemi bashkëpunim rajonal dhe ndërkombëtar me qendrat e avancuara shëndetësore”, tha ai.

Ministri tha se mungojnë të dhënat se për sa kirurgë e infermierë të ri kanë nevoje institucionet shëndetësore.

“Ne nuk kemi analiza se sa kirurg na duhen sot e sa infermierë. Këto nuk bëhen me një mandat por nuk duhet të ndalet reformimi i shëndetësisë sa herë që ndërrohen qeveritë”, tha ai.

Ministri Latifi ka folur edhe për ikjen e mjekëve nga Kosova, duke thënë se duhet të punojnë për ta parandaluar këtë dukuri.