Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, Foto:ZKM

Ministri i Shëndetësisë sërish jashtë vendit

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi sot ka udhëtuar për në Greqi, për vizitë zyrtare.

Përmes një komunikate, Ministria e Shëndetësisë ka treguar se ai do të pritet në Athinë nga homologu i tij grek, Athanasios Plevris.

Ata pritet të bisedojnë për bashkëpunimin në shëndetësi, mbështetjen dhe këmbimin e përvojave rreth sistemit shëndetësor.

“Gjatë vizitës në Greqi ministri Latifi do të vizitojë edhe disa qendra shëndetësore si dhe do të trajtohet mundësia e trajnimit të stafit shëndetësor nga Kosova në këtë vend si dhe programet e këmbimit të ekspertëve dhe përvojave.” – thuhet në komunikatë.

Javën e kaluar, Partia Socialdemokrate (PSD), përmes një aksioni simbolik para Ministrisë së Shëndetësisë, ka kritikuar ministrin Latifi, duke i bërë thirrje që të “zgjohet nga gjumi dimëror” përmes një baneri ku shkruhej, “Qu prej gjumit ministër!”

Me alarmin që lëshuan ata kërkuan nga ministri që të zgjohej e të punojë më shumë, pasi që sipas tyre, ai nuk ka përmbushur ende asnjë premtim të dhënë.

Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi ka thënë se ministri nuk po harron alarmin për të hipur në aeroplan, pasi që sipas saj ai është nga fluturimi në fluturim.

Para disa javësh ministri Latifi kishte qëndruar për vizitë edhe në Austri.

Që nga marrja e mandatit në nëntor të vitit të kaluar, ministri Latifi ka pasur vizita të shpeshta edhe në SHBA.