Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, Foto:ZKM

Ministri i Shëndetësisë paralajmëron Ligj për transplantim të organeve

Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Rifat Latifi ka marrë pjesë në një takim me drejtorët e Drejtorive Komunale të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Ministria ka njoftuar se temë diskutimi ishte situata në sektorin e shëndetësisë në komuna.

Latifi citohet të ketë thënë se në Ministri po punohet në transformimin e sektorit të shëndetësisë, me qëllim përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe siç është shprehur ai, i cili sistem në qendër të vëmendjes ka pacientin.

Tutje ministri ka thënë se është duke u punuar fuqishëm që të përmbushet agjenda legjislative dhe të bëhet edhe Ligji për transplantim të organeve.

Në Kosovë nuk lejohet transplantimi i organeve, pasi nuk ka ligj që rregullon këtë çështje.

“Theks të veçantë, Ministri Latifi, vuri edhe tek funksionimi i Telemjekësisë në nivelin lokal, ku sipas tij, ky shërbim ka hyrë në funksion që nga viti 2002, ndërsa është e nevojshme të shtrihet në të gjitha qendrat rajonale shëndetësore të vendit” është thënë në njoftimin e MSh-së në Facebook.

Temë diskutimi e takimit, thuhet se ka qenë edhe gjendja me pandeminë dhe procesin e vaksinimit, për të cilin ministri Latifi ka thënë se angazhimi i komunave në këtë aspekt, do të ketë efekt më të madh në përmirësimin e këtij procesi

“Ndërkaq, drejtorët e Drejtorive komunale të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, u zotuan për bashkëpunim me nivelin qendror, duke përmendur gjithashtu edhe sfidat edhe problemet me të cilat ata po ballafaqohen, përfshirë edhe resurset humane të kufizuara” është thënë tutje në njoftim.