Ministri i Shëndetësisë nuk takohet me specilizantët, këta paralajmërojnë vazhdimin e protestave

Para objektit të Ministrisë së Shëndetësisë me dhjetëra mjek kanë protestuar sot duke shprehur pakënaqësi me trajtimin qeveritar.

Specializantët me financim të rregullt, po kërkojnë paga për orët e kujdestarive, ndërsa specializantët me vetëfinancim po kërkojnë përfshirje në ligjin për paga, transferimin në specializantë të rregullt.

Ndonëse janë duke kërkuar tash e një kohë të gjatë që të takohen me kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi, kjo kërkesë nuk iu realizua as sot.

Gjatë protestës kryetari i këshillit të specializantëve, Arianit Zajmi, si dhe dy nga përfaqësuesit e specializantëve, Uran Halimi dhe Dion Musliu, u ftuan për takim, mirëpo në takimin e zhvilluar në korridorin e Ministrisë, përfaqësuesit thonë se i priti vetëm njëri nga këshilltarët e ministrit.

Pas takimit, anëtari këshillit të specializantëve, njëherësh specializanti i Ortopedisë, Dion Musli, u shpreh i shqetësuar për faktin se as sot nuk arritën të takohen me ministrin Latifi, dhe paralajmëroi se protestat do të vazhdohen të enjten e javës së ardhshme, nëse deri atëherë nuk arrijnë të kenë një takim me ministrin.

Sot është mbajtur protesta e dytë e specializantëve para objektit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Në korrik të vitit të kaluar Ministria e Shëndetësisë në krye me Armend Zemaj hapi konkursin për shkollim specialistik në nivel vendi. Procesi i specializimit të mjekëve nuk ishte bërë për katër vite. Në atë konkurs kishin aplikuar mbi 1 mijë mjekë.

Ndarja e buxhetit për specializantët me vetëfinancim bëhet në kuadër të ndarjeve të subvencioneve por jo nga buxheti i rregullt i Qeverisë së Kosovës, ndërsa kërkesa e specializantëve me vetëfinancim është që të hynë në paga të rregullta.

Në anën tjetër, nga Ministria e Shëndetësisë për KALLXO.com thonë se për subvencionimin e specializantëve me vetëfinancim kanë ndarë 2.8 milionë euro.

protesta e specializantëve 09.12.2021 FOTO:KALLXO.com
protesta e specializantëve 09.12.2021 FOTO:KALLXO.com
protesta e specializantëve 09.12.2021 FOTO:KALLXO.com
protesta e specializantëve 09.12.2021 FOTO:KALLXO.com