Ministri Rifat Latifi - foto: ZKM

Ministri i Shëndetësisë 'injoron' pyetjen e deputetit të Listës ‘Guxo’

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka injoruar deputetin e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Burim Meta në seancën e sotme të Kuvendit.

Madje ministri Latifi, injorimin ndaj deputetit Meta e ka treguar dy herë radhazi duke mos iu përgjigjur në një pyetje parlamentare, në të cilën është përfshi edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Deputeti Meta kërkoi nga ministri Latifi përgjigje se pse nuk është duke funksionuar linja pa pagesë për konsulta për shëndetin mendor.

“Pandemia ka rënduar shëndetin mendor të qytetarëve tanë. Ne jemi dëshmitar të mosfunksionimit të linjës pa pagesë për ofrimin e këshillave profesioniste e cila është bërë nga departamenti i psikologjisë me Ministrinë e Shëndetësisë. Akoma është jo funksional”, tha në mes tjerash deputeti Meta.

Mirëpo ministri Latifi zgjedhi të flasë për tema të tjera dhe jo t’i përgjigjet saktësisht pyetjes së deputetit Meta për linjës pa apgesë për konsutla mbi shëndetin mendor.

Pas deklarimit të ministrit, Meta mori përsëri fjalën duke thënë se “fjalimi i ministrit mund të jetë gjithçka, përveç përgjigje në pyetjen e tij”.

“I nderuar ministër, këtë që e thatë,gjithçka mundet me qenë, por veç përgjigje në pyetjen time, jo. Ku është projekti me Bankën Botërore që është bërë përmes qeverisë më thuaj të lutem. Dokumentet që i përmende janë të rëndësishme por ka me shku pandemia, ka mu harru pandemia dhe këto kërkojnë kohë për tu realizuar”, tha ai.

Ndërkaq, ministri është pyetur nga kryetari i Kuvendit të Kosovës se a dëshiron të përgjigjet në pyetjen shtesë, por ministri sipas Konjufcës nuk ka dëshiruar të përgjigjet.