Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministri i Shëndetësisë: Do të ristrukturojmë në tërësi edukimin e specializantëve dhe infermierëve

Në vazhdën e protestave të cilat janë organizuar javëve të fundit nga shumë sindikata në vend, këtë rrugë e ndoqën edhe specializantët me vetëfinancim.

Ata janë të pakënaqur me faktin që në buxhetin e vitit 2022 Qeveria e Kosovës nuk ka ndarë buxhet për ata.

Për të shprehur pakënaqësinë e tyre, specializantët me vetëfinancim kanë protestuar të enjten.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, tha se kjo çështje është njëra ndër shtyllat kryesore të ekzekutivit ndërsa shtoi se do të ristrukturojnë në tërësi edukimin e specializantëve dhe të infermierëve.

“Çështja me specializantët, edhe edukimi i tyre, kanë me qenë njëra nga shtyllat kryesore të Qeverisë dhe Ministrisë. Ne jemi duke diskutuar për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Ne do të ristrukturojmë në tërësi edukimin e specializantëve, edukimin e inferimierëve kështu që kjo ka me qenë njëra nga shtyllat tona”, tha ai.

Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti, i pyetur nga gazetarja e KALLXO.com se pse nuk ka zhvilluar takim me këta specializantë, tha më e rëndësishme është gjetja e një zgjidhjeje për të cilën janë duke punuar se takimet.

Specializantët me vetëfinancim paralajmërojnë protestë pasi Qeveria nuk ndau buxhet për ta