Ministri i Shëndetësisë apel për qytetarët që janë të vendosur në Qendrën e Studentëve

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në konferencën e cila po mbahet në oborrin e Qeverisë së Kosovës, apeloi të qytetarët të cilët pasi janë kthyer nga vendet e jashtme ku ka raste me coronavirus e që janë vendosur në Qendrën e Studentëve të qëndrojnë dhe të përkujdesen për vete.

Ai shtoi se e din se kushtet në po këtë qendër nuk janë ndër më të mirat.

“Kisha një adresim të veçantë për prsonat që po mbahen në karantinë në Qendrën e Studentëve. Lufta kundër Covid 19, mund të fitohet me më më pak humbje nëse ne japim kontributin tonë në këtë drejtim njëra nga to është edhe karantina. Jemi të vetëdijshme se kushtet aty nuk janë më të mirat që do të dëshironim për juve por do të punojmë që të plotësohen kushtet higjienike. Por ju lutem të jeni të vetëdijshëm se kushtet aty janë në nivel më të mirë se në disa shtete të tjera,  ku karantinat janë bërë në tenda, edhe në ndërtesa koperativash edhe në qendra sportive e tregtare”, tha Vitia.

Ai shtoi se sakrifica që po bëhet është për të mirën e të gjithve.

“Ju lusim të mirëkuptoni sepse është një situatë emergjente dhe sakrifica që po bëni është në të mirën tuaj të familjaëve dhe qytetarëve të Kosovës. Ju rikujtoj se MPJ dhe Diasporës dhe MSH e kanë bërë të qartë mbrëmë se secili qytetar i joni që futet në Kosovë nga jashtë do të dërgohet në karantinë për 14 ditë”, shtoi Vitia.

Dy ditët e fundit dhjetëra qytetar të Kosovës të cilët kanë ardhur nga vendet e jashtme si Gjermani, Zvicër, Turqi, janë vendosur në karantinë në Qendrën e Studentëve dhe do të qëndrojnë 14 ditë.

Kjo për shkak që të parandalohet përhapja e virusit COVID-19.