Ministri i Republika Srpska godet me shuplakë deputetin opozitar (VIDEO)

Ministri i Brendshëm i Republika Srpska, Dragan Lukaç goditi me shuplakë deputetin e NSRS, Drasko Stanivukoviq, pas një debati për flamujt e NATO-s në sallën e Kuvendit, raporton portali Klix.

Gjatë fjalimit në Asamblenë Kombëtare të RS, ku po diskutohej për Programin e Reformës në Bosnje dhe Hercegovinë, Lukaç iu drejtua Stanivukoviq, i cili, me disa anëtarë të tjerë të opozitës, solli flamuj të vegjël të NATO-s në sallën e Kuvendit.

Flamujt janë vendosur në shenjë proteste sepse Stanivukoviq beson se duke nënshkruar Programin e Reformës, i cili u dërgua në selinë e NATO-s, Dodik ka shkelur “neutralitetin ushtarak të RS”.

Sidoqoftë, Lukaç kishte një mendim tjetër rreth flamujve.

“Derisa isha duke luftuar mbi kokën time fluturonin aeroplanët e NATO-s. Unë shikoja nëse ndonjë bombë do të binte mbi kokën time. Ju nuk mund t’i sillni ata flamuj. Ju ishit të vegjël atëherë, por duhet të dini disa gjëra tani përndryshe ju do të përfundoni si ata flamuj”, tha Lukaç.

Më pas, Stanivukoviq iu afrua Lukaçit, me qëllim të shpjegonte se si do të përfundonte, më pas Lukaç hodhi letra në drejtim të Stanivukoviq, e quajti majmun dhe pastaj e goditi me shuplakë.

Seanca u shty për pak kohë pas këtij incidenti.