Ministri i raporton deputetëve masat e marra për coronavirusin

Në kohën e shpërndarjes në masë të madhe të virusit vdekjeprurës coronavirus, institucionet kosovare thonë se po marrin masa për të parandaluar dhe menaxhuar një situatë epidemike.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia sot ka dalur para deputetëve të Komisionit Parlamentar për Shëndetësi ku ka folur për masat e marra lidhur me këtë virus, të cilat sipas tij janë në pajtim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

“Një nga detyrat e para ka qenë informimi i qytetarëve për mbrojtjen dhe rrezikun nga ky virus. Në web faqe të ministrisë janë publikuar informata. Masat e para janë marrë në Aeroportin e Prishtinës. Janë shpërndarë mbi 25 mijë fleta informuese. Edhe në pikat tjera kufitare janë udhëzuar që udhëtarët të pyeten se nga vinë” tha Vitia.

Ai shtoi se ministria ka përgatitur edhe check-listat për kontrollimin e udhëtarëve të dyshuar me virus.

“Klinika Infektive ka përgatitur planin e veprimit për rastet e dyshimta dhe ka zhvilluar planin për menaxhimin e rasteve. Një nga repartet e kësaj klinike ka repartin e izolimit. Kemi kërkuar një fond shtese prej 400 mijë eurove nga Qeveria”, shtoi Vitia.

Sipas ministrit vendi është i gatshëm edhe për të organizuar karantinat nëse është e nevojshme.

Deri më tani rreth 5 persona janë testuar për këtë virus në këtë Kosovë dhe të gjithë kanë pasur rezultate negative.

Raste më këtë virus tashmë janë shfaqur në vendet e Ballkanit si Kroacia dhe Maqedonia Veriore.