Ujmani

Foto : Denis Sllovinja

Ministri i Mjedisit: Kosova ka vetëm 500 milionë metra kubë ujë rezerva, Shqipëria 44 miliardë

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se Kosova ka shumë pak ujë rezerva.

Aliu ka theksuar se vendi ka rreth 500 milionë metra kubë ujë rezervë duke e krahasuar me Shqipërinë, e cila ka rreth 44 miliardë metra kubë ujë.

“Kur flasim për ujërat dhe ndikimet kilmatike kapacitetet ujore në vend janë jashtëzakonsiht të vogla, ne kemi tepër pak ujë. Kosova sot ka në rezervat e saj ka 497.3 milionë metra kubë ujë të shfrytëzueshme, kjo mund të variojë deri në 510 milionë metra kubë ujë. Krahasuar me Republikën e Shqipërisë e cila i ka 44 miliardë metra kubëujë. Në këto 500 milionë metra kubë ujë rezerva, 350 milionë i ka veç Ujmani dhe kjo ka qenë brengë në vazhdimësi pra nuk është mendu për me i rritë këto kapacitete por është mendu me i nda”, tha ai.

Ministri ka folur edhe rreth planit hapësinor për parkun nacional ‘Bjeshkët e Nemuna’.

Ai tha se do ta sjellë në Kuvend vetëm pasi të bëhet rishikimi i tij.

Ai ka thënë se në këtë plan është paraparë që brenda parkut nacional të bëhen ndërtime në rreth 13 mijë hektarë tokë.

“Në draft është i kryer plani hapësinor i  parkut nacional ‘Bjeshkët e Nemuna’, veç pritet me u sjellë në Qeveri dhe ne me e sjellë në Kuvend, por unë nuk e sjell, kam vendosur me e kthy mbrapsht. Në këtë park, paramendone, është planifikuar zonë ndërtimore, 13 mijë hektarë. Kjo i bjen si zonat urbane të pesë komunave që shtrihet ky park, Junik, Deçan, Gjakovë, Istog dhe Pejë me i shumëzu me nga dy, po apet kjo zonë ndërtimore është më e madhe. Paramendone sa ujë duhet. Unë nuk e sjell atë plan. Vetëm po du me tregu se si ka qenë logjika e punës atëherë’, tha ai.

 

Pas diskutimeve, Kuvendi i Kosovës ka miratuar raportin vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2020.