Foto: Facebook/Armend Mehaj

Ministri i Mbrojtjes: Kosova është e sigurtë

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se Kosova është e sigurtë dhe nuk bie pre e kërcënimeve dhe shantazheve të Serbisë.

Gjatë një konference për media të premten, Mehaj tha se kanë një bashkëpunim të mirë me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.

“Kosova i ka institucionet e veta të sigurisë, ne i përcjellim ngjarjet jo vetëm në rajon por edhe jashtë rajonit, gjeopolitiksht situata ka ndryshuar shumë në vende. Ne nuk biem pre e fjalëve, kërcënimeve, shantazheve të rreme siç ka bërë Serbia në tërë këto vite, ne e mbajmë atë gjakftohtësi. Kosova është e sigurtë, i ka institucionet e sigurisë, jemi në bashkëpunim të mirëfilltë me KFOR-in”, u shpreh Mehaj.

Ai ka thënë se kancer për sigurinë në Ballkan është shteti serb ndërsa ripërsëriti se institucionet e sigurisë në vend janë të përgatitura dhe po monitorojnë situatën.

“Strukturat e sigurisë së Kosovës janë në dijeni, nën kontroll çka qysh tek, e çfarë qëllime ka Serbia, destabilizimin jo vetëm të Kosovës por edhe rajonit. Ju e dini që Serbia nuk ka hequr kurrë tendencat e tyre për të destabilizuar Kosovës, as Malin e Zi e as Bosnjën. Kanceri i Evropës, apo kanceri i Ballkanit ka qenë gjithmonë Serbia”, deklaroi ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj.

“Organet tona të sigurisë kanë kontrollin e duhur, policia është në dijeni, inteligjenca policore, doganat, AKI, i kanë informatat e duhura, ndërmarrin veprimet e duhura”, ka thënë Mehaj.

Në fund, Mehaj ka folur edhe për mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO.

“Ne e kemi kryer fazën e parë të tranzicionit, por kjo nuk do të thotë që, për shkak të rrethanave të reja të sigurisë, Kosova mos të anëtarësohet në NATO. Fokusi jonë është që ushtria t’i ketë kapacitetet e mjaftueshme ushtarake për mbrojtjen e territorit, sa më shpejt të jetë e mundshme”, ka deklarua ai.

Ndërkohë, sot gjatë ditës janë mbajtur dy protesta, të ndara, në dy qytete të banuara me serbë, në Mitrovicën e Veriut dhe në Graçanicës.

Në anën tjetër, shtetet e QUINT-it kanë kërkuar që protestat të mbahen paqësore.

Vendet e QUINT-it shprehen të shqetësuar për mundësinë e përshkallëzim të dhunës në protestën e serbëve

www.kallxo.com