Ministri i Mbrojtjes ia uron detyrën Komandantit të ri të FSK-ës, Bashkim Jasharit

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se është bërë dorëzim-pranimi i detyrës së Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga Rrahman Rama dhe Bashkim Jashari.

Në të njëjtin njoftim është thënë se Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka uruar Bashkim Jasharin për detyrën e re.

“Mehaj ka shprehur nderin dhe privilegjin e madh të tij të bashkëpunojë me njërin nga bashkëluftëtarët dhe nipin e komandantëve legjendarë Adem dhe Hamzë Jashari”, është thënë tutje.

Po ashtu thuhet se Mehaj ka falënderuar dhe ka shprehur mirënjohje të lartë edhe për kontributin e madh të gjeneralit Rrahman Rama.

“Falënderojmë Ramën për kontributin e dhënë gjatë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Trupave Mbrojtës së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, në pozitat e tij udhëheqëse”, thuhet në njoftim.

Bashkim Jashari para pak orësh është emëruar si Komandant i FSK-ës nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila njëherësh është dhe komandante supreme e FSK-ës.

Gjenerallejtënant Rrahman Rama ishte emëruar komandant i FSK-së në mars të 2015 nga ish-presidentja Atifete Jahjaga.

Gjenerallejtënant Rama e kishte zëvendësuar në detyrë Gjenerallejtënant Kadri Kastratin.