Tërmeti në Turqi, Foto: FSK

Ministri i Mbrojtjes i Turqisë falënderon Kosovën për ndihmën e dhënë gjatë tërmetit

Më 6 shkurt 2023, një tërmet me magnitudë 7.8 goditi pjesën juglindore të Turqisë dhe vendin fqinj të saj Sirinë. Si pasojë humbën jetën më shumë se 55,000 persona.

Për t’i dalë në ndihmë këtij shteti, Forca e Sigurisë së Kosovës pati dërguar ushtarët e saj për të ndihmuar në operacionet e kërkim-shpëtimit.

FSK kishte arritur që nga gërmadhat e ndërtesave të rrëzuara të nxjerrë të gjallë disa persona, por edhe shumë viktima.

E një falënderim për këtë pati sot ministri i Mbrojtjes së Turqisë, Hulusi Akar, gjatë një takimi që u mbajt në mes tij dhe ministrit të Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj.

Takimi mes tyre u mbajt në kuadër të panairit të teknologjisë ushtarake TKNOFEST në Stamboll.

“Ministri Akar ka shprehur falënderimin dhe mirënjohjen për ndihmën që Republika e Kosovës i ka ofruar Republikës së Turqisë me rastin e tërmetit” – thuhet në një njoftim të Ministrisë së Mbrojtjes.

Ndër të tjera, në takimin e dy homologëve u tha se ata diskutuan edhe për bashkëpunimin e mirë që ekziston në mes vendeve.

Po ashtu, u paralajmërua që ky bashkëpunim do të thellohet edhe më tej, e kjo pasi dy vendet janë duke u punuar në nënshkrimin e marrëveshjes SOFA, marrëveshjes për shkëmbim të personelit dhe marrëveshjen në fushën ushtarake të trajnimeve, teknikës dhe shkencës.