Foto: Ministria e Mbrojtjes e Serbisë

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë flet për patrullimet e ushtrisë serbe me KFOR-in në Karaçevë

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin, ka thënë të hënën se patrullimet e ushtrisë serbe në fshatin Karaçevë të Kamenicës janë bërë në koordinim me KFOR-in, raporton Kossev.

Këto patrullime të cilat u filmuan nga një banor i Karaçevës së kamenicës janë bërë temë debati tash e disa ditë në mediat dhe opinionin e Kosovës dhe çuan deri në deklarata të ndryshme të zyrtarëve politikë të Kosovës.

Por Vulin tha se bëhet fjalë për patrullime simultane ndërmjet ushtirs ëserbe dhe KFOR-it.

“E vërteta është se bëhet fjalë për një patrullim simultan mes ushtrisë serbe dhe KFOR-it, komandës rajonale Lindje, që nënkupton një kontingjent turk dhe dy kontingjente amerikane, nga ora 16:50 deri në orën 18:10. Ka qenë patrullim i përbashkët nga fshati Muhoc deri në Karaçevë, përgjatë vijës kufitare”, tha Vulin.

Ai tha se ka pasur kërkesë që edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës t’u bashkohen këtyre patrullimeve por, sipas tij, pala serbe nuk e ka pranuar këtë kërkesë.