Ministri i Mbrojtjes i Malit të Zi ndalon komunikimin me krerët e shtetit pa miratimin e tij
Ministri i Mbrojtjes i Malit të Zi, Dragan Krapoviq, ka lëshuar një urdhër të qartë për ndalimin e komunikimit të të punësuarve në Ministrinë e Mbrojtjes me zyrtarët e kabinetit të presidentit të shtetit, Jakov Millatoviq, ata të Qeverisë, Millojko Spajiqit dhe ata të Kuvendit, Andrija Mandiq.
“Ndalohet komunikimi me kabinetet e anëtarëve të Këshillit për Mbrojtjen dhe Sigurinë, si dhe me kabinetet e ministrave në Qeveri, pa miratimin tim”, thuhet në urdhrin e ministrit që mban datën 10 shtator 2024.
Anëtarë të Këshillit për Mbrojtjen dhe Sigurinë janë presidenti i shtetit, kryetari i Kuvendit dhe kreu i Qeverisë. Ky organ komandon Ushtrinë e Malit të Zi.
Analisti politik, Boris Mariq, thotë se urdhri reflekton mosbesimin midis degëve të ndryshme të pushtetit dhe sektorit të mbrojtjes.
“Nëse brenda vetë administratës shtetërore dhe në lidhje me kabinetet e presidentit të shtetit dhe kuvendit kemi një marrëdhënie që sugjeron nevojën për filtrimin e informacionit, çfarë atëherë mund të presin mediat dhe shoqëria civile”, thotë Mariq për Radio Evropa e Lirë (REL).
Edhe për ish-ministrin e Mbrojtjes, Predrag Boshkoviq, veprimi i Krapoviqit është tregues i mosbesimit “mes aktorëve kyç të pushtetit aktual”.
I pyetur nga REL-i për arsyet dhe nëse lëshimi i këtij urdhri tregon mosbesim në majat e pushtetit, ministri Krapoviq nuk ka dhënë përgjigje.
Kush është me kë në pushtetin malazias?
Krapoviq është funksionar i demokratëve, partisë së shumicës fituese që rrëzoi pushtetin tridhjetëvjeçar të Partisë Demokratike të Socialistëve të Millo Gjukanoviqit në zgjedhjet e gushtit të vitit 2020.
Në Qeveri janë që nga tetori i vitit të kaluar me Lëvizjen Evropa Tani, të kryeministrit Millojko Spajiq, Frontin Demokratik pro-rus të Andrija Mandiqit dhe partitë minoritare, duke siguruar shumicën edhe në Parlament.
Që nga fillimi i vitit, kryeministri Spajiq dhe kreu i shtetit, Millatoviq, janë në një konflikt të ashpër politik, megjithëse dy vjet më parë themeluan së bashku Lëvizjen Evropa Tani.
Ndryshimi i tyre ka çuar në aleanca të reja politike.
Kështu, në zgjedhjet në Podgoricë më 29 shtator, në koalicion po garojnë Lëvizja Evropa Tani e Spajiqit dhe Demokratët e Krapoviqit, ndërsa fraksioni i Millatoviqit nga Lëvizja Evropa Tani është bashkuar me lëvizjen qytetare URA të ish-kryeministrit Dritan Abazoviq.
Partitë e Frontit Demokratik po garojnë me disa parti të vogla proruse.
Çfarë përmban urdhri i ministrit të Mbrojtjes?
Në urdhrin e Krapoviqit, me të cilin ndalohet komunikimi pa miratimin e tij me ministritë dhe të punësuarit në kabinetet e Millatoviqit, Mandiqit dhe Spajiqit, thuhet gjithashtu se mosrespektimi i urdhrit është subjekt i përgjegjësisë disiplinore.
“Për zbatimin e urdhrit janë përgjegjës shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Malit të Zi, drejtorët e përgjithshëm të drejtorive dhe shefat e njësive organizative”, ka shkruar Krapoviq.
Ai, gjithashtu, në mbledhjen e fundit të Këshillit për Mbrojtjen kërkoi shkarkimin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral brigade Zoran Llazareviq, për shkak të, siç ka theksuar, “nevojës për ristrukturimin e kuadrit”.
Llazareviq është në këtë detyrë që nga qershori i vitit 2022.
Shkarkimit, megjithatë, iu kundërvu Millatoviqi, ndërsa propozimin e Krapoviqit e mbështetën Mandiq dhe Spajiq.
Shkarkimi nuk ndodhi, pasi anëtarët e Këshillit për Mbrojtjen marrin vendime me konsensus.
Krapoviq, më 18 shtator, me anë të një letre i kërkoi Millatoviqit që të thërrasë sa më shpejt një mbledhje të Këshillit për Mbrojtjen, për të shkarkuar gjeneralin Llazareviq dhe për të emëruar një shef të ri të Shtabit të Përgjithshëm.
Kjo, ndër të tjera, është theksuar në një njoftim të Ministrisë së Mbrojtjes.
Ish-ministri i Mbrojtjes, Boshkoviq, thotë se Krapoviqi, kur mori vendimin për ndalimin e komunikimit, u mbështet në Ligjin për Administratën Shtetërore, sipas të cilit ministri mund të “urdhërojë ose ndalojë veprimet në një situatë të caktuar që ka rëndësi të përgjithshme”.
“Vështirë se ndalimi i komunikimit mund të jetë i një rëndësie të përgjithshme, përkundrazi”, thotë për REL-in Predrag Boshkoviq, i cili ishte ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e fundit të DPS-së.
Ai konsideron se veprimi i Krapoviqit dëshmon për rrënimin e institucioneve dhe pasqyron gjendjen në shumicën aktuale politike:
“Kjo armiqësi e ndërsjellë, që para së gjithash është shprehje e dëshirës për kontroll të plotë partiak të sektorëve që drejtojnë, çon në rrezikimin e interesave kombëtare të shtetit që drejtojnë, duke shkatërruar plotësisht institucionet që drejtojnë”.
Boshkoviq thekson se veprimet e shumicës aktuale politike janë shembull i “populizmit të lidhur me padijen dhe mosbesimin” dhe se “incidenti i fundit i ministrit të Mbrojtjes flet për kapacitetin e tij demokratik dhe të partisë së tij”.
“Por, sot, në Mal të Zi çdo gjë kalon. Ka pak media kritike që janë të gatshme t’i thërrasin mbajtësit e funksioneve më të larta shtetërore për përgjegjësi publike”, përfundon Boshkoviq.
Mariq: Urdhrat janë shenjë dobësie
Ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Boris Mariq, thotë se urdhrat si mënyrë komunikimi zyrtar zakonisht shmangen pasi tregojnë dobësinë e administratës shtetërore:
“Dhe, jo vetëm të saj. Këtu është shkuar një hap më tej sepse bëhet fjalë për kabinetet e presidentit të shtetit, Kuvendit dhe Qeverisë, të gjithë anëtarët e Qeverisë që janë ministra, për kabinetet e tyre”.
Mariq thotë se urdhri ka kuptim nëse dyshohet se dikush shpërndan informacion dhe përtej deklaratës së nënshkruar për ruajtjen e fshehtësisë së të dhënave:
“Por, sa i përket anëtarëve të Këshillit për Mbrojtjen, kjo nuk është ‘në lojë’, pasi ata kanë qasje në të gjitha aktet dhe informacionet sekrete”.
Sipas tij, ndalimi dërgon një mesazh se ekziston një problem besimi në Ministrinë e Mbrojtjes, në marrëdhënien ndërmjet pjesës ushtarake dhe civile.
Mariq thotë se është veçanërisht problematike që ministri në urdhër ka përcaktuar drejtuesit përgjegjës për zbatimin e tij, edhe pse nuk i ka përmendur emrat.
“Është problematike që në të nuk janë të gjithë zyrtarët përgjegjës, por shefi i Shtabit të Përgjithshëm, drejtorët e drejtorive dhe shefat. Ata pastaj, në kuptimin e hierarkisë, duhet të shtyjnë më poshtë”, shpjegon ai.
Pa mohuar që në resorin e Krapoviqit ekzistojnë informacione që nuk mund të ndahen, Mariq thotë se kjo nuk rregullohet me urdhër, por ekzistojnë procedura ligjore për këtë.
Krahasimi i Qeverisë së re dhe asaj të vjetër
Mariq konstaton se Mali i Zi, edhe pas katër vjetësh nga rrëzimi i Qeverisë së DPS-së, ende ka problem me mekanizmat demokratikë dhe sidomos me transparencën.
“Burimi i tyre është përfundimisht në karakterin dhe mënyrën e qeverisjes së DPS-së që për fat të keq, në një farë mase, e kanë marrë në mënyrë të papërshtatshme dhe fatkeqe edhe subjektet e sotme politike”, vlerëson ai.
Mariq thotë se ajo parti kishte më pak nevojë për akte të tilla.
“Nuk ka dyshim se edhe atje kishte luftëra të forta, ndoshta edhe më të forta partiake sesa ato që kemi tani në skenën politike, por ata i zgjidhnin ato në hierarkinë partiake dhe disa rregulla të pashkruara. Kjo, sigurisht, nuk kontribuoi në zhvillimin e demokracisë në Mal të Zi”.
Që nga rrëzimi i pushtetit të DPS-së, në gusht të vitit 2020, deri më sot në Mal të Zi janë ndërruar tri qeveri dhe dy përbërje të Parlamentit.
Të paktën dy herë janë ndërruar edhe të gjithë drejtuesit e kompanive shtetërore dhe institucioneve publike./REL