Foto: Ejup Maqedonci, Facebook
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës u takua me drejtorin e kompanisë që prodhon dronët "Bayraktar"
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, është takuar me Haluk Bayraktar, drejtorin ekzekutiv të kompanisë turke “Baykar”, prodhuese e dronëve ushtarakë “Bayraktar”, përderisa po qëndron në Turqi.
“I nderuar të takoj nikoqirin e SAHA Expo dhe mikun tim, z. Haluk Bayraktar. Nga z. Bayraktar u njoftova për inovacionet e Kompanisë Baykar në fushën e fluturakeve pa pilot si dhe sistemeve tjera për përdorim ushtarak dhe civil” – ka shkruar Maqedonci më 22.10.2024 në Facebook.
Maqedonci tha se janë dakorduar për të vazhduar bashkëpunimin dhe eksplorimin e mundësive të reja në interes të përbashkët.
“Me Kompaninë Baykar, Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës tashmë kanë vendosur bashkëpunim strategjik dhe operacional që po mundëson fuqizimin e kapaciteteve luftarake” – ka shkruar ai.
SAHA Expo është një ekspozitë ndërkombëtare e mbrojtjes dhe hapësirës ajrore që mbahet në Turqi.
Ekspozita fokusohet në shfaqjen e inovacioneve dhe përparimeve më të fundit në teknologjitë e mbrojtjes, hapësirës ajrore, detare dhe të sigurisë.
Kompaninë “Baykar” e kishte vizituar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 03.06.2024.
Në korrik 2023, kryeministri Kurti bashkë me atëherë ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe komandantin e FSK-së gjenerallejtnant Bashkim Jashari, kishin prezantuar dronët “Bayraktar TB-2” si pjesë e arsenalit të ushtrisë së Kosovës.
Ndërkaq, në nëntor të po të njëjtit vit, ministri i tanishëm i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kishte dekoruar drejtorin Bayraktar me medaljen “Shërbim të Shquar”, që njëherësh është edhe çmimi më i lartë ushtarak në Kosovë, për vullnetin, gatishmërinë dhe bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës.