Marko GJuriq - Foto: REL/AP
Ministri i jashtëm serb mohon akuzat, dënon sulmin në Ibër Lepenc
Qeveria e Kosovës ka drejtuar gishtin kah Serbia për sulmin e mbrëmshëm në kanalin e Ibër Lepencit, ndërsa, ministri i brendshëm serb, Marko Gjuriq ka thënë se Serbia dënon me termat më të ashpër të mundshëm këtë sulm.
Këto akuza të – siç e quan ai – regjimit etnonacionalist të Kurtit, ka thënë se janë të parakohshme dhe një devijim i qëllimshëm, që sipas tij tregon potencialisht përfshirjen e vetë regjimit të Kurtit.
“Këto akuza të pabaza minojnë përpjekjet për dialog konstruktiv dhe shërbejnë vetëm për të përshkallëzuar tensionet në një situatë tashmë delikate” – ka shkruar ai në rrjetin social X.
Madje Gjuriq ka thënë se Serbia është e gatshme që të ndihmojë financiarisht dhe teknikisht në riparimin e dëmeve në kanal, nëse është e nevojshme, për të demonstruar përkushtimin e tyre për mirëqenien e njerëzve në rajon, pavarësisht përkatësisë etnike a politike.
“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve përkatëse ndërkombëtare që të kryejnë një hetim të plotë dhe transparent për të identifikuar dhe mbajtur përgjegjës përgjegjësit për këtë akt” – ka shtuar ai.
Ministri serb ka thënë më tej se ata janë të përkushtuar ndaj paqes, stabilitetit e bashkëpunimit dhe kanë bërë thirrje që të gjitha palët t’i rezistojnë provokimeve dhe t’i japin përparësi dialogut, mirëkuptimit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit.
“Ibër-Lepenci është një rrugë ujore kritike thelbësore për prodhimin e energjisë elektrike, bujqësinë, ujin e pijshëm dhe mirëqenien e përgjithshme të komuniteteve të cilave u shërben. Veprime të tilla shkatërruese janë të papranueshme dhe kërcënojnë stabilitetin e brishtë që ne po përpiqemi të ruajmë” – ka thënë ai.
Shpërthimi në kanalin e Ibër Lepencit në Zubin Potok ka shkaktuar probleme në furnizim me ujë dhe rrymë në Kosovë.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka njoftuar sot se pavarësisht dëmtimit kanë arritur të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.
“Elemente të organizatave terroriste “Mbrojtja Civile” e “Brigada Veriore” dhe kryekrimineli Millan Radoiçiq nën dirigjimin e Presidentit dhe Qeverisë së Serbisë planifikojnë e ushtrohen në Serbi për sulme të këtilla profesioniste” – thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Në këtë mbledhje është ngritur edhe paralele e mundshme me një sulm të ngjashëm të Rusisë ndaj Ukrainës gjatë kësaj jave.
“U vu në pah edhe ndërlidhja e gjasshme me sulmet e Rusisë agresore në Ukrainë mbi kapacitetet energjetike gjatë kësaj jave duke lënë mbi një milion amvisëri ukrainase pa energji elektrike pikërisht në prag të dimrit” – tha Qeveria.
Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.
Të gjitha lajmet rreth situatës pas shpërthimit në kanalin e Ibër Lepencit, mund t’i lexoni në artikullin e mëposhtëm.
Lajm në Zhvillim: Shpërthim në Zubin Potok, dëmtohet kanali i ujit të Ibër-Lepencit