Ministri i Jashtëm serb kundërshton flamurin e Kosovës në seancën e Këshillit të Sigurimit

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Nikola Selakoviq, ka kundërshtuar paraqitjen e Kosovës me simbolet shtetërore, përkatësisht flamurin, në seancën e sotme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kushtuar situatës në Kosovë.

Në këtë takim që po mbahet virtualisht, nga Kosova po merr pjesë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Ndërkaq, ministri serb Selakoviq tha se paraqitja e simboleve të Kosovës është abuzim.

“Nuk më mbetet gjë tjetër veçse të filloj një protestë kundër abuzimit me formatin video të seancës nga ana e përfaqësuesve të Prishtinës duke promovuar simbolet e të ashtuquajturës shtetësi të Kosovës”, tha ai.

Ministri serb Kosovës iu referua edhe me “Kosova dhe Metohija”.

“Abuzimet e tilla të seancave të Këshillit të Sigurimit janë absolutisht të papranueshme dhe përbëjnë një shkelje flagrante të rregullave të Këshillit të Sigurimit për pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë”, shtoi ai.

Në fillim të seancës, dukja e flamurit të Kosovës ngjalli kundërshtime edhe të përfaqësuesit të Rusisë.